Sot ditë zie shtetërore në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 25 shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit.“Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës së Kosovës.Afrim Bunjaku, pjesëtar i Policisë së Kosovës, ra në krye të detyrës dhe në mbrojtje të sovranitetit integritetit territorial të Kosovës, në veri të vendit.Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë, vdiq të dielën në mëngjesin e hershëm kur grupe kriminale kanë sulmuar në pritë njësitë policore, ku për pasojë mbetën edhe të plagosur të tjerë.Të dielën, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar mbrëmë se janë dërguar në mbajtje për 48 orë gjashtë persona të persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku.