Sot. në të gjitha shkollat e vendit, nesër fillon gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2023/24.

Sot. në të gjitha shkollat e vendit, nesër fillon gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2023/24. Drejtues të Sindikatës së Arsimit kanë bërë të ditur se në bazë të informatave që kanë nga terreni, janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e gjymsëvjetorit të dytë. E për sa i përket paralajmërimit të ministres së Arsimit, Arberie Nagvci, për testimin e mësimdhënësve, nga kjo sindikatë kanë ritheksuara së janë kundër këtij testimi.

Në të gjitha shkollat e vendit janë bërë të gjitha përgatitjet që nesër të fillojë gjysmëvjetori i dytë, ashtu siç është e paraparë me kalendarin e vitit shkollor 2023/24.

Nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit, Vjollca Shala, i tha RTK-së së sipas informatave që kanë marrë nga përfaqësuesit e sindikatave nëpër komuna, nuk kanë informacione që në ndonjë shkollë në viset rurale edhe përkundër rënies së borës dhe temperaturave të ulëta nuk do të fillojë procesi mësimor.

“Sipas informacioneve që i kemi nga kryetarët e sindikatave të niveleve komunale, përgatitjet janë bërë tashmë dhe gjysmevjetori i dytë do të fillojë më datë 24 janar sipas kalendarit. Nuk kemi ndonjë informatë që edhe në viset rurale për shkak të borës që është në sasi me të larta nuk do të filloj mësimi. Kështu që ne i kemi informacionet që janë bërë përgatitjet për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë”, ka thënë Shala.

Sa i përket paralajmërimit të ministres së Arsimit, Arberie Nagvci, se nga muaji qershor do të fillojë vlerësimi i mësimdhënësve, Shala tha së janë kundër testimit, pasi kjo është nënçmuese marrë parasysh që mësimdhënësit janë të kualifikuar dhe se për njohuritë e tyre janë testuar disa herë deri me tani.

“Testimi i njohurive të mësimdhënësve është një nënçmim dhe degradim  për ta. Të testohet mësimdhënësi për  njohuritë të cilat i ka përfituar gjatë shkollimit të tij është një degradim i tij. Ngase për njohuritë e tij, mësimdhënësi është testuar shumë herë nga mësimdhënësit e fakultetit dhe të nivelit master. Po ashtu, mësimdhënësit janë testuar edhe kur janë pranuar në punë”, ka thënë Shala.

Ministria e Arsimit ka paralajmëruar që  synojnë që të nisin me provimin për licencë të avancuar për mësimdhënës, sipas kritereve të përcaktuara dhe së në këtë proces do të jetë i përfshirë edhe testimi i mësimdhënësve./Radio Kosova