Sot organizohet tubim në Prishtinë në solidarizim me popullin ukrainas
Institucionet kosovare dhe organizatat joqeveritare do të organizojnë sot një aktivitet në qendër të Prishtinës në solidarizim me popullin e Ukrainës për shkak të luftës atje.Sipas njoftimit të publikuar nga Forumi për Iniciativa Qytetare, tubimi do të bëhet në sheshin “Skënderbeu” në qendër të Prishtinës, sot në ora 12:00.Në njoftimin për tubimin është bërë thirrje që pjesëmarrësit me vete të marrin shirita me ngjyra të flamurit ukrainas apo të veshin dhe të mbajnë në duar pankarta dhe flamuj të Ukrainës dhe shteteve demokratike. “Shkatërrimi i infrastrukturës, pastrimi i fshatrave dhe qyteteve nga makineritë ushtarake, radhët e gjata të njerëzve duke kaluar kufijtë për të qenë më të sigurt, janë kujtimi i freskët i Luftës nëpër të cilën ka kaluar populli ynë. Andaj, në shenjë solidarizimi dhe përkrahje me popullin Ukrainas, përfaqësuesit legjitim të popullit Ukrainas e në mbështetje të luftës së tyre heroike për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë, ju ftojmë që të mblidhemi në Sheshin Skënderbeu në qendër të Prishtinës, ditën e Hënë me datë 7 mars 2022, në mesditë, në ora 12:00h”, thuhet në thirrjen e këtij aksioni.“Mblidhemi para Teatrit Kombëtar është tregues i përcaktimit dhe bashkimit të popullit të Kosovës me të gjithë popujt paqedashës, që po protestojnë nëpër sheshet e të gjitha qyteteve të shteteve demokratike për ta kundërshtuar luftën dhe agresionin Rus dhe që hapur e pa hezitim po kërkojnë ndaljen e luftës dhe pushtimit të Ukrainës”, thuhet tutje në postimin e Fondacionit FIQ.