Sot protestojnë infermierët, kërkojnë dyfishim të pagës së ndërrimit të natës
Edhe pse infermierët rrezikojnë shëndetin e tyre gjatë përballjes me pacientët e infektuar, ata po paguhen vetëm 18 euro për punën që po e bëjnë në ndërrimin e natës. Për këtë pakënaqësi, Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë ka paralajmëruar protestë për të hënën në orën 10:00.
Sekretari i kësaj sindikate, Enlirat Duraku, ka thënë të dielen se duke e pasur parasysh punën e infermierëve, kërkesat që do të paraqiten janë minimale.
“Duke e pasë parasysh punën kolosale të komunitetit mjek, infermier e mami që janë tu e bo, ne konsiderojmë se e meritojmë një trajtim më dinjitoz nga institucionet e lartpërmendura. Kërkesa jonë është shumë minimale dhe sociale. 18 euro paguhemi, ne kemi kërku rritje në 36 euro”, ka thënë ai.
Duraku, i cili punon infermier në Klinikën e Reumatologjisë në QKUK, e ka edhe një porosi për Qeverinë.
“Sa për Qeverinë, në qoftë se ata vetëm dojnë me vlerësu punën, përkushtimin dhe sakrificën e këtij komuniteti, tani e kanë mundësinë më optimale për të treguar këtë vlerësim përmes rritjes së pagesës së ndërrimeve të natës”, ka shtuar ai.