Sot tre vite nga tërmeti i 26 Nëntorit, Shqipëria kujton 51 viktimat e tragjedisë 
Tre vite më parë Shqipëria përjetoi një nga ditët më tragjike te dekadave të fundit. Në 26 nëntor 2019 një fatkeqësi natyrore zgjoi shqiptarët nga gjumi ende pa aguar dita.Lëkundje të forta tërmeti më magnitudë 6.4 të shkallës riter, tronditën Shqipërinë në zemër të saj.Zonat më të goditura ishin Durrësi, Shijaku, Fushe-Kruja, Kurbini, vora, Kamza, Kavaja. Pallate e shtëpi u rrëzuan në qytete e fshatra të këtyre zonave. Bilanci ishte tragjik; 51 të vdekur, mbi 1000 persona të plagosur.Mbi 11 mijë familje gjendeshin të pastrehë pas shkatërrimit të banesave.Sfida e parë ishte shpëtimi i sa më shumë të mbijetuarve nga rrenojat, nxjerrja sa më parë e trupave të viktimave dhe ndihma ndaj të lënduarve në spitale.Në Durrës e Thumanë, ku shkatërrimi ishte më tragjik, kërkimi nën germadhat e ndërtesave të rrëzuara vazhdoi me ditë të tëra. Shumë familje me 2, 3 e me shumë viktima hapën dyert e mortit.
Në spitalin e Traumës dhe spitale të tjera te vendit u dërguan qindra të lënduar që kishin nevojë për rehabilitim mjekësor pas plagëvë te marra. Ndërsa hotelet, konviktet, ndërtesat e shumë shkollave apo objekteve te tjera publike strehuan qindra familje që mbetën nën qiell të hapur.Gjatë këtyre tre viteve pas tragjedisë, shumë familje të dëmtuara kanë hyrë në apartamente të reja apo në shtëpitë e rindërtuara. Një pjesë tjetër jeton ende në shtepi më qira të subvencionuara nga bashkitë përkatëse në pritje të ndërtimit të banesave të reja. Ne fshatra ndërkaq ka edhe familje që kanë zgjedhur jetesën në cadra e kontenierë për të mos u larguar në banesa me qira në qytet, për shkak të lidhjes me tokën e blegtorinë.Disa muaj pas tërmetit, në shkurt 2020, në Bruksel u mbajt një konferenca e donatorëve për Shqipërinë”, ku janë mbledhur 1.15 miliard euro, përfshirë grante, projekte dhe hua për procesin e rindërtimit. /abcnews.al/.