Spitalet e Kosovës pajisen me 60 shtretër modern
Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës të mërkurën është pajisur me 60 shtretër të rinj modern, të financuar nga një kredi e Bankës Botërore, përcjell Insajderi.Siç bëhet e ditur në njoftimin për medie të ShSKUK-së, 20 nga shtretërit do të vendosen në Qendrën Klinike dhe Universitare.
“20 shtretër modernë për përkujdesje intensive, me katër thyerje, që dirigjohen nga dy telekomandues, të cilët e bëjnë më të lehtë dhe më të përshtatshëm qëndrimin e gjatë të pacientit, janë vendosur në Mjekësinë Sportive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, aty ku aktualisht po trajtohen pacientët e prekur me COVID-19”, thuhet në njoftim.Ndërsa, 20 të tjerë do të vendosen në Spitalin e Ferizajt, 10 në Spitalin e Gjakovës dhe 10 në Spitalin e Gjilanit.“Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë qëndruar në Objektin e Mjekësisë Sportive për të parë nga afër ardhjen e shtretërve të rinj, ndërsa vlerësuan se investimet e bëra do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore”, thuhet tutje në njoftim.Shtretërit e rinj janë pjesë e “Projektit Emergjent COVID-19 për Kosovë”, i financuar nga një kredi e Bankës Botërore- përmes UNOPS-it./Insajderi.com