Stoltenberg: NATO është shumë e fokusuar në Kosovë

“NATO është shumë e fokusuar në Kosovë”, ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s, Jens Stoltenberg, referuar zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

I pyetur se sa është i shqetësuar me tensionet në veri, në një intervistë për “France 24”, Stoltenberg deklaroi se janë tejet të fokusuar në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Ai theksoi se aktualisht numërojnë katër mijë trupa të KFOR’it në Kosovë, që sigurojnë stabilitet të situatës.

“NATO është shumë e fokusuar në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar në ndalimin e dy luftërave etnike. Fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë, e më vonë në Kosovë. Natyrisht, ne jemi ende të pranishëm atje, forcat e KFOR-it numërojnë më shumë se 4,000 ushtarë dhe kanë një rol kyç në stabilizimin e situatës”, tha Stoltenberg.

Në adresimin e tij, Stoltenberg kërkoi që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejmë, dhe të evitojnë retorikën provokuese.

Veçanërisht Serbisë, ai i kërkoi që t’i ulin tensionet në Kosovë.

“Forcat tona janë të afta dhe të përgatitura, por edhe në gatishmëri. Ato po monitorojnë situatën me vëmendje të madhe. NATO dhe BE bashkëpunojnë shumë ngushtë dhe mesazhi im për të dyja palët është që të përmbahen nga përshkallëzimi i mëtejmë dhe retorika provokuese. U bëj thirrje atyre për të ulur tensionet në Kosovë”, shtoi Stoltenberg.

KFOR: Jemi në kontakt me forcat e Kosovës dhe Serbisë

KFOR, me mision ruajtjen e paqes dhe sigurisë, pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, kanë deklaruar se po vëzhgojnë nga afër zhvillimet.

Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, nga KFOR nuk janë deklaruar nëse do të ndërhyjnë për heqjen e barrikadave në veri ose jo, mirëpo theksojnë se janë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

”KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht të aftë të implementojë mandatin e saj të OKB’së për të mundësuar një ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Kjo përfshin patrullat e zgjeruara në veri të Kosovës, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Reporteri.net.

Përpos Policisë dhe EULEX-it, për ta parandaluar eskalimin e situatës, KFOR thekson se është në kontakt me forca të sigurisë të të dy palëve, ato të Kosovës e të Serbisë.

”Komandanti i KFOR-it vazhdon të jetë në kontakt me homologët e tij, përfshirë përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe Organizatave të Sigurisë të Kosovës, si dhe me shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë”, thuhet tutje. /Reporteri.net/.