Studiuesit: Emigrimi ndikoi në vetëdijen kombëtare shqiptare

     Në Konferencën Shkencore, që po mbahet në amfiteatrin e Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, në një diskutim mbi rolin e emigrimit në formimin e vetëdijes kombëtare shqiptare, studiuesit Frashër Demaj, Eduart Caka dhe Sali Kadria sollën në vëmendje shembuj historikë të rëndësishëm.

Frashër Demaj theksoi se shtatë valë migrimi drejt Italisë sollën krijimin e kolonive arbëreshe që ruajtën gjuhën, kulturën dhe kujtimin për figurat kombëtare si Skënderbeu. Hapja e kolegjeve arbëreshe, si ai i vitit 1732, shërbeu si vatër për kultivimin e identitetit kombëtar shqiptar.

“Pushteti osman detyroi një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve të emigrojnë. Sipas të dhënave ka pasur shtatë valë të migracionit të shqiptarëve drejt Italisë. Arbëreshët ruanin gjuhën, kulurën, zakonet dhe ndjenjën e fuqishme të heronjve të tyre, siç ishte Skënderbeu. Çështja e gjuhës dhe kulturës arbëreshe ka qenë temë trajtimi edhe nga shumë studiues të huaj. Për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditën u hapën shumë kolegje. Në vitin 1732 ishte hapur kolegji arbëresh. Këto kolegje u krijuan për të qenë vatër e gjuhës arbëreshe. Nga kjo shkollë dolën një varg politikanësh, personalitete të rëndësishme. Këto duken një nga shenjat e para të kulturës shqiptare”, tha Demaj.

Ndërsa, Eduart Caka vuri në pah migrimin ekonomik dhe politik të shqiptarëve drejt Egjiptit dhe më tej drejt Amerikës, ku figura të rëndësishme si Ismail Qemali dhe Fan Noli nisën aktivitetin e tyre kombëtar.

“Shqiptarët kanë ardhur dhe kanë nisur që të organizohen dhe të vijnë në Egjipt. Ismail Qemali, Fan Noli shkuan në Egjipt dhe ky është emigrim ekonomik dhe politik, sepse Egjipti ishte botë e sigurt për shqiptarët. Pse lidhet migrimi nga Egjipti në Amerikë? Sepse në Egjipt shkuan për arsye ekonomike. Një pjesë e mirë e tyre nuk janë evidentuar si shqiptarë. Për këtë arsye është e vështirë të dihet saktë sa kanë qenë të migruar në Amerikë në atë kohë”, tha Caka.

Sipas Sali Kadrisë, kolonia shqiptare në Egjipt nxori shumë rilindës të shquar dhe përbënte një mjedis ku u ruajt gjuha dhe u zhvillua ndërgjegjja kombëtare shqiptare.

“Prania shqiptare në Egjipt ishte për shkak të kushteve të mira ekonomike. Fillesat e kolonisë shqiptare në Egjipt ku lindën shumë rilindës të shquar. Natyrisht që këto dëshmojnë arritjet e mëdha. Shqiptarët ishin komb i vjetër ku kishin një gjuhë të pastër”, tha ai./EO/