Suedia dënon me burgim të përjetshëm kosovarin që vrau prindërit në Prizren

0

                     Gjykata e Qarkut e Stokholmit e ka dënuar me burgim të përjetshëm 37-vjeçarin nga Prizreni, Adriatik Hadrin, për vrasjen e prindërve të tij. Ai duhet të paguajë edhe dëmshpërblim për motrat dhe vëllezërit, të cilët janë lënë pa prindër. Express u sjell detaje se si kishte ndodhur i gjithë rasti dhe për motivin që e ka shtyrë kosovarin t’i vrasë prindërit.Adriatik Hadri nga Prizreni do ta kalojë gjithë pjesën e mbetur të jetës në burg. Ai është dënuar dje nga Gjykata e Qarkut në Stokholm me burgim të përjetshëm për vrasjen e prindërve të tij, Durim dhe Suada Hadrit.Lajmin e ka bërë të ditur vetë Gjykata, në faqen e saj zyrtare. Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, ai duhet të iu paguajë edhe dëmshpërblim motrave dhe vëllezërve të tij.“Gjykata e Qarkut e Stokholmit sot (22 mars) ka dënuar një burrë 37-vjeçar për vrasjen e prindërve të vet duke i qëlluar me nga një të shtënë në kokë me pistoletë. Incidenti ndodhi më 20 janar 2020 në qytetin e Prizrenit, Kosovë. Krimi është cilësuar si vrasje dhe dënimi është caktuar burgim i përjetshëm. Personi i dënuar gjithashtu duhet t’u paguajë dëmshpërblim vëllezërve dhe/ose motrave, të cilët janë lënë pa prindër”, thuhet në njoftimin e gjykatës.Sipas gjykatës, 37-vjeçari ka vrarë prindërit për përfitime financiare dhe se vrasjen e tyre e kishte planifikuar më parë.“Dëshmitë kundër burrit 37-vjeçar kanë përfshirë, mes tjerash, materialin e gjerë nga telefoni i tij mobil dhe nga kompjuteri i tij. Nga dëshmitë ka dalë se 37-vjeçari ishte munduar të merrte silurë me qira para se vetë t’i kryente aktet. Ai ra në kontakt me armën e vrasjes duke e thyer kasafortën e prindërve të tij në shtëpi. Është zbuluar gjithashtu se 37-vjeçari mendonte se përmes vrasjes së prindërve do ta merrte kontrollin e aseteve familjare”, thuhet tutje në njoftim.

Si kishte ndodhur rasti?

Në fund të janarit të vitit të kaluar, vendi ishte tronditur nga një vrasje e dyfishtë që kishte ndodhur në Prizren. Brenda shtëpisë së familjes Hadri në lagjen “Ortakoll”, ishin gjetur të vdekur Durim dhe Suada Hadri.Ata kishin vite që jetonin e punonin në Suedi, derisa në Kosovë kishin ardhur për pushime.Për vrasjen e tyre, i dyshuari i vetëm ishte djali i tyre, Adriatiku, i cili kishte ikur nga Kosova, menjëherë pas rastit. Ai ishte arrestuar nga autoritetet suedeze në mars të vitit të kaluar.Atje kishte nisur edhe gjykimi për të, shkaku i i pamundësisë që ai të ekstradohet në Kosovë.Zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti, i kishte thënë Gazetës Express se në mungesë të ndonjë marrëveshje për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në mes të Republikës së Kosovës, autoritetet suedeze i kanë njoftuar se ekstradimi i djalit të çifit Hadri nuk është i mundshëm.“Duke qenë se i pandehuri në fjalë është shtetas suedez dhe se në mungesë të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, respektivisht ekstradimit në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Suedisë dhe se autoritetet suedeze në bazë të legjislacionit të tyre në fuqi nuk lejojnë ekstradimin për shtetasit e tyre, atëherë dhe na kanë njoftuar paraprakisht se ekstradimi eventual i të pandehurit nuk është i mundshëm për shkak të këtyre pengesave procedurale’, kishte thënë Mehmeti.Në mungesë të një marrëveshje të tillë, Prokuroria e Prizrenit kishte parashtuar kërkesë për transferimin e procedurës penale nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë, kërkesë e cila kishte marrë miratimin e autoriteteve suedeze.“Andaj, në këto rrethana, Prokuroria Themelore në Prizren përmes Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka parashtruar kërkesë për transferimin e procedurës penale kundër të pandehurit A.H., nga Republika e Kosovës në atë të Suedisë, e cila kërkesë edhe është aprovuar nga autoritetet suedeze”, kishte thënë Mehmeti. Prokuroria suedeze kishte filluar ta ndjekë penalisht Hadrin më 15 janar të këtij viti, derisa dje është marrë vendimi për të.Prokurori i rastit, Calmvik Olof, në një përgjigje për Express, kishte përgëzuar prokurorët dhe policinë e Prizrenit për punën në këtë rast.“Ne gjithashtu do të donim të themi se kemi marrë shumë ndihmë nga prokurorët dhe policia në Prizren, të cilët kanë bërë një punë të mrekullueshme në këtë rast”, thuhej në përgjigjet e prokurorit.Ndryshe, vrasja e çiftit që jetonte në Stokholm dhe kishte shtetësi suedeze, ishte bërë lajm në mediat e këtij shteti.Policia suedeze kishte thënë atëkohë se është e përfshirë në hetime.“Siç ndodh zakonisht për ngjarje që ndodhin jashtë vendit, janë autoritetet lokale që merren me hetimet paraprake. Policia suedeze është duke ndihmuar në këtë rast”, kishte thënë zëdhënësja Nadia Jaber./Gazeta Express

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *