Sulmi në Gllogjan dyshohet se u krye me kallash, i dyshuari ende në arrati
Policia e Kosovës ka dalë me raport për sulmin që u krye mbrëmë në Gllogjan, ku u vranë tre persona dhe një tjetër mbeti i plagosur.Policia ka bërë me dije se shoferi ka vdekur në vendin e ngjarjes, derisa dy nxënësit kanë vdekur në spital.I dyshuari për rastin gjendet në arrati Sipas Policisë, dyshimet janë se autobusi është sulmuar me kallash.“Fsh. Gllogjan, Deçan 26.11.2021-18:58. Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport.Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës në rajonin e Pejës, Veton Elshani, ka thënë se policia, tash për tash, nuk ka arsye për të besuar se ngjarja në Deçan është akt terrorist.Sipas tij, policia ka arsye për të besuar se “sulmin e ka kryer një person i vetëm”.Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë thirrje që kushdo që ka informata për ngjarjen, të bashkëpunojë me autoritetet, në mënyrë që kryesi i veprës të dalë sa më shpejt para drejtësisë.Autobusi ka qenë duke qarkulluar në relacionin Gjakovë – Deçan, në kohën kur kanë ndodhur të shtënat.Nuk është ende e qartë nëse autobusi ka qenë cak i të shtënave.