Sypatremburit e Shqipërisë që dhanë jetën për Kosovën
Në gusht 1998, në Krumë të Hasit ra lajmi që dy shqiptarë ishin vrarë në vijën kufitare mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë. Ata ishin Besmir Azem Brati dhe Naim Hajdar Qema.
Njëri burri e tjetri vëllai i Afërdita Bratit, që edhe sot e kujton në detaje momentin kur bashkëshortin e saj e pa për herë të fundit.
“Në mëngjes sa ka dal prej shpije unë atë e kam parë për herë të fundit, e kanë thirr shtabi UÇK-së dhe më ka thënë që unë po iki. Nuk e kam menduar ndonjëherë që ajo kishte me qenë hera e fundit që e shoh”, ka thënë gruaja e Besmir Bratit, Afërdita Brati.
Në fakt Besmir Brati, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ishte bashkuar kohë më parë.
Ai ndihmonte guerilen që po luftonte për çlirim, herë në front e herë në logjistikë.
Bashkë me mikun e tij Naim Qemën 20-vjeçar, ata u vranë në të njëjtën ditë në një pritë që serbët kishin organizuar në Lipovec të Godenit.
Nuk u dorëzuan. Luftuan me aq sa kishin fuqi deri sa ranë për të mos vdekur kurrë e kujtuar gjithmonë, si dëshmorë të atdheut.
Trupat e tyre u gjetën tek pasi lufta në Kosovë mori fund.
“Trupin e atyre i kemi gjetur pasi u çlirua Kosova. Morëm vesh se ka pasur shumë luftime, me predha me granata, në atë prit kishin qenë vëllai im, burri, ka qenë vetë i katërti në Lipovec, të Godenit. Burri më ka lënë me tri vajza, 3 vjeçe, 2 vjeçe dhe 1 vjeçe, kanë qenë të vogla. Vajza e madhe e kujton babin, ajo edhe është martuar. Shumë e vështirë ka qenë një nënë me tri vajza të vogla, pa ndihmë e pa përkrahje, dhimbja për mu ka qenë e dyfishtë, aty më është vra edhe vëllai ai ka qenë 20-vjeç” ka shtuar Brati.
Besimir Brati e Naim Qema, janë vetëm dy nga dhjetëra dëshmorë të UÇK-së, e që vijnë nga Kruma e Hasit të Shqipërisë.
Ndihma e hasjanëve për Ushtrinë Çlirimtare ishte e pakursyer, trimëria e tyre ishte e padëgjuar.
Në mes këtyre trimash ishte edhe Xhevat Lleshi.
28-vjeçari qe ndër të parët që ndihmonte ca djem Kosove që po ëndërronin lirinë.
Betim kishte dhënë për dy gjëra. Luftën për Kosovën s’do e ndalte e në dorë armikut për së gjalli s’do i binte kurrë.
https://www.youtube.com/embed/GkTFrJp3JV8 Kështu edhe bëri. Në momentin që kishte rënë në mina e trupi i ishte dëmtuar rëndë, zgjodhi një rrugë për të mos u dorëzuar.
“Tana herët e mbajke në xhep një fishek të vogël në pantanolla. E pyetshim pse Xhevat e mban këtë fishek, thojke kur të bij në prit me shkije, thojke ma gjejnë fishekun a dinë gjatë ngutjes, për mos mem kap shkijet gjallë thojke e ruj njëfishet në xhep të vogël edhe ia vendosi vetit këtu thojke. E me të vërtetë ashtu qëlloj”, ka thënë kushëriri i Xhevat Lleshit, Avdi Lleshi.
Gushit i vitit 1998 aq sa ishte i rënë për Kosovën ishte edhe për Hasin, rajon në Veri të Shqipërisë.
Serbët kishin kuptuar tashmë që UÇK-ja po mbështetej pakushte, kryesisht nga shqiptarët e Shqipërisë së Veriut.
I tillë ishte edhe Adem Ukë Mazreku nga Vranishta e Hasit.
“Vëllai jem Adem Mazreku ka pasur një urrejtje të madhe për serbët, i cili duke u frymëzuar nga lufta që u bë masakra me civilët në Kosovë, ai u frymëzua për luftë, e pa nevojën që t’i bashkëngjitet luftës duke furnizuar bazat e UCK-së me armatim. Kishte urrejtje për serbët dhe ai gjithnjë e më shumë u aktivizua në luftë, nga patriotizmi që kishte, kishte edhe një shpirt luftëtari që i vogël kur dëgjonte për luftërat si ajo nacional çlirimtare, u frymëzonte shumë, më shumë u frymëzua kur u bë masakra që u dëgjonte për to në televizion”, ka thënë vëllai i Adem Mazrekut.
Mzreku i frymëzuar për luftë më 17 gusht po ndihmonte ushtarët e UCK-së për të futur armë në Kosovë.
Ai bashkë me luftëtarët e tjerë ranë në një pritë tek vendi i quajtur Varri i Mirë.
Ushtria serbe ishte në dijeni se ky djalë i ri ishte nga Vranishta e Hasit, andaj trupin e tij e lidhën në helikopter e me të bënë xhiro mbi Prizren.
Mesazhi ishte që kushdo që ndihmonte kosovarët do ta kishin një fat të tillë.
Pak nga kjo histori din edhe djali i vogël i Adem Mazrekut, Arifi.
“Historia që unë vazhdimisht kam dëgju është se ai ka pasur vullnet shumë të madh për luftën e Kosovës. Edhe s’ma kanë tregu mënyrën se si është vrarë, se njerëzve iu vjen keq me ma kujtu një gjë që edhe unë u nijsha keq se të rritesh pa njërin prind është diçka shumë e madhe”, ka thënë Arifi.
https://5f7d7706dceb785f3fe16f08f0616a50.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-40/html/container.html Histori trimërish të tilla dëgjon nga do që shkon nëpër Has të Shqipërisë.
Djemë të ri që lanë familjet e tyre e deshën vetëm një gjë. Të luftonin për çlirimin e Kosovës.
Ky që po e shihni në këto pamje është Sefedin Mulaj.
Është i biri i Hamdi Mulajt, një burri trim nga Hasi i Shqipërisë, që lavdishëm ra në altarin e lirisë.
“Unë jam ndje keq se kam mungesën e prindit, por jam krenar që ai është hero, dëshmor dhe ndihem shumë mirë që ai ka vdekur për liri. Ka qenë një trim i madh, si më tregojnë një luftëtar trim. Unë kam paraqitjen e babit, por nuk kam ndonjë veçanti ndaj tij, po rëndësi ka që unë jam i tij dhe jam krenar për këtë. Unë jam shumë i lidhur me Kosovën, punoj atje me një firmë të materialeve ndërtimore. Çdo herë që kaloj asaj rruge shoh përmendoren e babit dhe natyrisht më kujton atë”, ka thënë Sefedin Mulaj.
Dëshmorët janë pasuria më e çmuar e një kombi, por të paharruar mbesin edhe ata që ndihmojnë një luftë çlirimtare.
Të tillë që ndihmuan UÇK-në në Shqipëri ka shumë.
Në mes tyre është edhe familja e Lum Pogës, shtëpia e të cilit në kohë lufte ishte shndërruar në një bazë sekrete të UÇK-së.
Në këtë dhomë ishin vendosur themelet e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Kur vinin te shpija këtu emrat nuk ua dinim, ja daja ja plaku ja studenti. Ishte para 97-tës, pa u thye depot ishte lëvizja e fillimit të parë edhe u takuam më pas. Vjen Azem Syla, i thoshim daja i madh, Plaku, Hashimit edhe atij student i thonim po dikur krejt vonë morëm vesh që e kishte emrin e tillë, Kadri Veseli e të tjerë,. Këtu kanë nejt ata në fillimet e para derisa u hap rrethi edhe vinin me makina të vogla 5,6 armë dhe i dërgonim në Kishaj te Lah Lleshi dhe i dërgonim andej”, ka thënë Lum Poga.
Kruma tashmë ka rënë në një qetësi dimërore, por as bora e bardhë e malet e larta, kontributin e tyre për luftën e UÇK-së, nuk e fshehin dot.
“Unë jam Ismajl Dauti, prej fshatit Golaj, i martum me 7 fëmijë, 6 çuna e 1 gocë. Kohën kur më ka bo thirrje Sokoli se a mundesh me punu me ne, i kam thanë i kam fëmijët e vegjël edhe kam frikë nga burgu”, ka thënë veterani i UÇK-së, Ismajl Dauti.
Ismajl Dauti 25 vjet pas luftës, ka për krenari të tregoj se i kishte ndihmuar një prej njerëzve më të rëndësishëm të UÇK-së, Luan Haradinajt.
“Kam fillu me bajt armatim me shumicë e çojsha të Alush Gradica, rahmet past se ka vdekë, në prag të vitit të ri ka vdekë, e çojshim atje me Luan Haradinajn. Kam qenë shofer i tij. E kam pas kamionin të maskuar në atë formë sa rreth e rreth ka pas armatim edhe në dysheme, gjoja se janë tu shit gjëra ndihmash. U ndalsha në pazar, se u kanë pazari këtu edhe e hapsha veç rrijsha pak kohë sa më hup gjurmë, dikur iksha e çojsha të Alush Gradica, mandej, Luani e barte armatimin vet, se u kanë shumë i fuqishëm”, ka shtuar Dauri.
Rrëfim po kaq emocional ka edhe Bedri Cahani.
“Bedri Cahani nga fshati Cahan, nga fshati Cahan, tashti banojë ne Krumë, jam 52-vjeç. Kam qenë pjesë e UÇK-së qysh në ’97-tën dhe deri në përfundim të luftës që ka qenë me operacionin shigjeta”, ka thënë Cahani.
Ai bashkë me shumë të tjerë ushtarë të UÇK-së, detyrë primare kishte bartjen e armëve e shoqërimin e personelit të Ushtrisë Çlirimtare, deri në territorin e Kosovës.
“Maksimumi i armatimit që ne kemi kaluar për një natë ka qenë 147 kuaj edhe gomarë që kemi kaluar për një natë shto këtu plus ushtarët. ne e vrojtofshim kufirin 2-3 ditë përpara ne si grup që ishim përgjegjësa Qamil Cahani, Agon Cahani e Gëzim Cahani edhe Hamdia, Hamdi Cahani ka qenë më i vjetër ndër ne. Dilshim në vrojtim përpara, kalojshim kufirin 2/3 ditë përpara dilshim vrojtim e shifshim që nuk ka lëvizje të ushtrisë serbe edhe u organizojshim në mënyrë të përshtatshme dhe e kalojshim armatimin”, ka shtuar Cahani.
Do duhej një rrëfim edhe më i gjatë për ta përmbledhur kontributin madhështor të shqiptarëve të Shqipërisë për çlirimin e Kosovës.
Nuk ka gjë me të shenjtë se jeta, e atë për Kosovën e dhanë hiç më pak se 31 persona nga Shqipëria e që sot janë dëshmorë jo vetëm të Kosovës, por të atdheut.
Misionin e arritën deri në një pikë, Kosovën e çliruan.
“Krejt ata që kanë rënë e janë vra kanë bo këto për një qëllim për një komb, që Kosova edhe Shqipëria të jenë një. Ata s’kanë luftuar që Kosova të jetë e ndarë prej Shqipërisë”, ka treguar veterani i UÇK-së. /Dukagjini/
Në kujtim të 24 vjetorit të rënjës së dëshmorit të kombit:-Shkruan;Prof Skender MORINA
HYSNI REXHEP MORINA 15.07.1971. – 31.03.1999
Sot, përkujtojmë dëshmorin e kombit, djalin e axhës,respektivisht, prindërit dhe vllain tonë Hysni Rexhep Morina që me dt.31.03.1999 ra heroikisht si pjestarë i UÇK-së me pushkë në dorë në vijën e parë të frontit në katundin Doberdelan në mbrojtje të tokës shqiptare nga shovinistët serb.
Hysni ajo ditë ishte ditë pikëllimi por njëkohësisht edhe një ditë krenarie për ne familjarët dhe shokët e vërtetë që ishin radhitur në krahë të luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Ishe i urtë por edhe i vendosur për të mbrojtur çdo pëllëmbë të tokës shqiptare, për të hequr njëherë e përgjithmonë okupatorin serbë nga trolli i shqipeve.
Sot të përkujtojmë për të nderuar përjetsishtë veprën tënde dhe të shokëve të t’uaj Dëshmorëve të kombit.
Hysni djali Enisi të është bër burrë.
Ai të sjellë buqeta lulesh tek varri dhe tek vendi i rënies tënde heroike, duke të kujtuar çdoherë edhe pse ishte vetëm tetë muaj kur t’i ra në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë.
Ai dhe ne të gjithë krenohemi me Ty dhe shokët tuaj. – dëshmorët e kombit.
I lehtë u qoftë dheu I tokës shqiptare për çlirimin dhe bashkimin e së cilës ju dhatë më të shtrenjtën – jetën.
Do të përkulemi përjetsishtë para jush dhe veprës suaj.
U prefshi në parajsë në tokën shqiptare të lirë përjetësisht nga okupatori serbë.
Lavdi dëshmorëve të kombit shqiptar të rënë për lirinë e Kosovës kësaj pjese të Shqipërisë!
LAVDI, LAVDI, LAVDI !/www.QendraPress.com/