Szunyog: Sulmi terrorist në veri ka ngritur shqetësim te komuniteti ndërkombëtarë, pasojat ndihen në tërë rajonin
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, beson se ajo që ndodhi më 24 shtator ishte një kambanë e fortë alarmi dhe se të gjitha veprimet që mund të përshkallëzojnë më tej situatën në terren duhet të shmangen.“Policia e Kosovës u sulmua nga persona të armatosur rëndë. Shtrirja e operacionit ishte e paprecedentë dhe paraqet një përshkallëzim të madh, i cili bie ndesh me thirrjet e përsëritura të Bashkimit Evropian për deeskalim në veri të Kosovës. Pasojat e këtij sulmi terrorist ndihen jo vetëm në veri të Kosovës, por në mbarë Kosovën dhe në mbarë rajonin. Ne po ashtu shohim se sulmi sigurisht ka rritur shqetësimin e komunitetit ndërkombëtar për situatën në veri të Kosovës. De-përshkallëzimi dhe stabilizimi i shpejtë i situatës së sigurisë tani është më shumë urgjente se kurrë. Në pamjen më të madhe, rruga përpara nuk ka ndryshuar, në fakt është bërë më e nevojshme.“Presim që Prishtina dhe Beogradi të punojnë në normalizimin e marrëdhënieve të tyre përmes dialogut të udhëhequr nga BE. Kjo është një platformë ku ata mund të adresojnë çështje të ndryshme, të cilat rëndojnë marrëdhëniet ndërkomunale në Kosovë. Duhet të shmangen të gjitha veprimet që mund të përshkallëzojnë më tej situatën në terren.Në kohën kur Europa kërcënohet nga lufta ruse kundër Ukrainës, ne nuk duhet të lejojmë dhunë dhe destabilitet në Kosovë. Ne thjesht nuk mund ta përballojmë atë”, ta Szunyog për Kosovo-Online.Ai ka komentuar edhe vizitën që ia bëri javën e kaluar manastirit të Banjskës së bashku me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm për Evropë të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.“Ne patëm një diskutim të rëndësishëm me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë për zhvillimet e fundit, me fokus në rolin që mund të luajnë liderët fetarë në nxitjen e marrëdhënieve paqësore ndërkomunale. E kuptoj që Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë përfaqëson një pikë referimi dhe autoritet moral për komunitetin serb të Kosovës, duke ofruar mbështetje shpirtërore për shumë besimtarë. Në BE, ne gjithmonë kemi mbështetur lirinë e fesë dhe rëndësinë e të qenit në gjendje ta praktikojmë atë”, ka thënë ai.Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pas u liruan.Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.Sulmi u cilësua si akt terrorist dhe agresioni ndaj shtetit të Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.