Tahiri: KESCO e merr kilovatin me 2,90 euro, qytetarëve ua faturon me 14,45 euro – kjo është plaçkitje

                     Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i ka reaguar pas fjalës së ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën ku po diskutohet për çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike.

Tahiri tha se ministrja pohoi që Qeveria nuk do të heq dorë nga bllok tarifa, teksa tha me ironi se qytetarët mund të marrin ndonjë kredi për të shlyer obligimet ndaj kompanive KESCO dhe KEDS.

“Nëse e shohim çmimin për megavat, se sa e merr KESCO në KEK është vetëm 2 euro e 90 centë, pra kushton kilovati. Ndërsa, neve qytetarëve me tarifën e ulët na e faturon 3.34 centë, me tarifën e ulët pjesën e natës, ndërsa me tarifën e lartë nën 800 kWh është 7.79 centë. Pra, më shumë se 100 për qind. Nëse shkojmë mbi 800kWh, tarifa e ulët është 6.81 centë, ndërsa tarifa e lartë mbi 800 kWh shkon 14.45 centë. Pra, prej 2 e 90 sa e merr në KEK, neve me tarifën e lartë mbi 800 kWh na e faturon 14 euro e gjysmë, pra gati 500 për qind”, tha ai.

.

Më tej shefi i deputetëve të PDK-së, tha që më e shumta që ka bërë kjo Qeveri për qytetarët, është subvencionimi për blerjen e druve.

“Po e përfundojnë mandatin dhe krejt çka kanë arritë në energji është me i subvencionu qytetarët me ble dru. Është fat i mirë që po ecni. Është fat i mirë që jeni në vitin e fundit të qeverisjes”, tha Tahiri/Sinjali/