Tahiri: Me retorikën e Kurtit, jemi rikthyer në lajme ndërkombëtare si vend me rrezik për konflikte
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se me retorikën e kryeministrit Kurti gjatë 2022-tës, Kosova është rikthyer në lajme ndërkombëtare si një vend jo stabil e me rrezik për konflikte.
Tahiri thotë se, në fakt, lufta ka qenë tema qendrore dhe preteksti në kokën e kryeministrit, i cili, përmes saj ka abstenuar që t’iu përgjigjet betejave të përditshme sociale dhe ekonomike me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës.
Për pasojë, shefi i deputetëve të PDK-së, thotë se rezultati është ikja e të rinjve, mungesë investimesh, zhvillimi dhe mungesë perspektive.
“Në vitin 2023, kemi hyrë me pasoja të retorikës së kryeministrit gjatë 2022-tës. Përderisa në Ukrainë luftohej agresioni rus, në Kosovë flitej për luftë nga kryeministri i vendit. Nga një histori suksesi e ngritjes së një shteti modern, me retorikën e kryeministrit gjatë 2022-tës, jemi rikthyer në lajme ndërkombëtare si një vend jo stabil e me rrezik për konflikte.
Ta mendosh se çfarë dëmi i ka bërë kjo Kosovës, do të thotë të kesh në mendje tre parametra: Cili investitor i huaj do të rrezikonte të investonte në një vend, kryeministri i të cilit flet për luftën që na kanoset? Si mund të shpresojnë në perspektivë, të rinjtë e një vendi që qeveriset me një kryeministër të tillë? Çfarë e ardhmeje ekonomike e pret një vend, kryeministri i të cilit, vizionin e vetëm e ka përballjen me luftën e tij?
Në fakt, lufta ka qenë tema qendrore dhe preteksti në kokën e kryeministrit, i cili, përmes saj ka abstenuar që t’iu përgjigjet betejave të përditshme sociale dhe ekonomike me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës. Rezultati: ikje e të rinjve, mungesë investimesh, mungesë zhvillimi, mungesë perspektive. Vit i ri, me pasoja të një mentaliteti të vjetër”, shkruan ai.