Takimi i Kurtit me kryetarë e nënkryetarë të komunave në Prevallë, kush nga ta mungoi e kush jo
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se sot ka mbajtur takim me kryetarët e komunave në qendrën turistike, Prevallë, ku tha se kanë diskutuar në dy sesione të ndara të drejtat e drejtësinë dhe ekonominë e financat.Mirëpo, ajo që u vërejt nga fotografitë që i ka publikuar vetë Kurti, është pjesëmarrja e ulët e kryetarëve të komunave në takimin e thirrur dhe organizuar nga qeveria. Në takim kanë marrë pjesë kryetarë komunash që vijnë nga Vetëvendosje dhe vetëm disa që vijnë nga parti të tjera.Përveç kryetarit të Gjilanit Alban Hyseni, kryetarit të Kamenicës Kadri Rahimaj, kryetarit të Shtimes Qemajl Aliu që vijnë nga VV, kryetarë pjesëmarrës në këtë takim nga parti të tjera ishin edhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, kryetari i Rahovecit Smajl Latifi, kryetari i Hanit të Elezit Mehmet Ballazhi dhe nënkryetari i Kaçanikut Samedin Vishi.Ndërkohë që munguan kryetari i Ferizajt Agim Aliu, kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj, kryetari i Mitrovicës Bedri Hamza, kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti, kryetari i Gjakovës Ardian Gjini dhe shumë të tjerë.
Të pranishëm kanë qenë edhe ministrat Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Emilja Rexhepi si dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë.Qeveria Kurti, nga ardhja në pushtet, ka pasur disa përplasje me Asociacionin e Komunave të Kosovës që lidhen me çështje të ndryshme. Shpeshherë, AKK ka akuzuar Kurtin për shpërfillje të komunave në vendimmarrje.Në takimin e sotshëm me disa prej kryetarëve të komunave në Prevallë, Kurti ka kërkuar përgjegjësi në menaxhimin e parasë publike dhe ka thënë se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. “Ashtu sikurse liria që nuk dhurohet por fitohet, as drejtësia nuk jepet, por duhet të vendoset. Po punojmë që ta ndërtojmë një sistem që vendosë drejtësi të bazuar vetëm në ligj. Nuk mund të ketë individë më të fuqishëm se shteti, as grup më të fuqishëm se Republika, e rrjedhimisht asnjeri mbi ligjin apo anash tij”, ka shkruar ai.Ai ka thënë se ka dëgjuar me vëmendje krerët e komunave dhe ka regjistruar me kujdes çështjet, kërkesat dhe nevojat e tyre.