Takimi i radhës Kurti-Vuçiq në Bruksel, çfarë u tha e çfarë pritet të diskutohet
Para takimit të dytë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë palët deri tani nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre dhe nuk ka pasur asnjë përparim në drejtim të arritjes së marrëveshjes finale.Takimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të përqendrohet, sipas zëdhënësit të BE-së Peter Stano në diskutimin mbi përparimin e deritashëm dhe hapat e mëtejmë të bisedimeve, që janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë evropiane të Kosovës dhe të Serbisë.Kurti e Vuçiq, u takuan më 15 qershor në Bruksel, po nuk arritën ndonjë përparim. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, sërish kërkoi që “Kosova të përmbushë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, ndërsa kryeministri Kurti thotë, se Kosova “nuk mund të lejojë përsëritjen e skenarit të Bosnje dhe Hercegovinës” dhe në vend të asociacionit propozoi krijimin e Këshillit Kombëtar për serbët e Kosovës, ngjashëm siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.Në takimin e fundit të 15 qershorit, kryeministri Kurti bëri katër propozime, përfshirë atë që, “Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët paqeje duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën”.Pala serbe refuzoi propozimet e kryeministrit Kurti, ndërsa, presidenti serb Vuçiq tha se “Delegacioni shqiptar nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet që i kanë nënshkruar vetë, pra nuk duan fare të bisedojnë për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”. Për këtë, sipas presidentit Vuçiq, Serbia do të vazhdojë të insistojë, por Prishtina zyrtare e hedh poshtë në mënyrë kategorike.Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës të ketë asociacion mbi baza etnike. Mund të ketë asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike. Ta zëmë Asociacion të bjeshkëve të Rugovës, të Maleve të Sharrit ose të Lumit Lepenc. Por Asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë as sa i përket frymës e as germës së Kushtetutës së Kosovës”, pati thënë kryeministri Kurti”.