Temperaturat e larta në Kosovë, mjekja familjare tregon si të veproni nëse goditeni nga të nxehtit

                                  Në ditët e nxehta të verës mjekët vazhdimisht bëjnë thirrje për mos ekspozim të gjatë në rrezet e diellit. Thirrja iu drejtohet kryesisht qytetarëve që janë në moshë të shtyrë, atyre me probleme shëndetësore kronike fëmijëve.Drita Gashi – Peqani, mjeke në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, thotë se ngritja e temperaturave i ka shtuar edhe më shumë pacientët që kërkojnë ndihmë nga goditja solare.“Në momentin që rriten temperaturat në ambient të jashtëm, rritet edhe numri i pacientëve, sepse vijnë këtu me ankesa të ndryshme sidomos me ngritje dhe ulje të tensionit arterial. Në momentin që ndodh kjo lëkura është e skuqur dhe e ngrohtë, pacientët kanë marramendje dhe humbje të vetëdijes. Nëse personi gjendet drejtpërdrejtë në rreze të diellit, të tërhiqet në hije dhe të kërkohet ndihma mjekësore”, tha ajo, për Telegrafin.Gashi-Peqani tha që personat e moshuar, fëmijët dhe ata të cilët vuajnë nga sëmundjet e ndryshme të ruhen nga rrezet e forta të diellit nga ora 10:00 deri në 17:00.“Duhet të kenë shumë kujdes që në këtë kohë të mos ekspozohen në rrezet e forta të diellit, nga ora 10:00 deri në ora 17:00. Nëse patjetër duhet të dalin të moshuarit në mes të kësaj kohe, atëherë patjetër të bartin kapela mbrojtëse, të jenë të veshur me rroba nga pëlhurat dhe me ngjyra të hapura. Të konsumojnë sa më shumë ujë, deri në tetë gota apo dy litra, pa marrë parasysh a janë të etur apo jo, që të mos vihet deri të dehidrimi”, rekomandoi ajo.Mjekja deklaroi se temperaturat e larta mund të ndikojnë keq edhe në shëndetin e grave shtatzënave.“Temperaturat të cilat po mbizotërojnë ditëve të fundit janë temperatura shumë të larta. Sidomos për personat që kanë imunitet të dobësuar dhe kanë ndonjë sëmundje kronike si ato kardio-vaskulare të zemrës, respiratorë të mushkërive, sëmundje renale dhe diabeti. Për gratë shtatzëna dhe fëmijët e vegjël, mund të jetë shkak për keqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore”, theksoi Gashi-Peqani.Dehidratimi është ajo që ndodhë nga goditja solare apo nga dielli, mirëpo edhe marramendja, skuqja e lëkurës janë disa prej simptomave të një goditje të tillë, sipas doktoreshës Drita. “Kur ndodhë dehidratimi kemi skuqje të lëkurës, marramendje molisje dhe kjo mund të dërgojë edhe te influenca renale për shkak të goditjes solare. Pacientë me goditje të fortë solare nuk kemi pasur, mirëpo me simptoma të përgjithshme si ngritje dhe ulje e tensionit arterial”, përfundoi ajo.Në njoftimin e IKSHPK-së thuhet se duke u ekspozuar në diell për një kohë të gjatë mund të pësojmë goditje nga të nxehtit që çon në dehidrim të organizmit, përcjellur me ngërçe, vjellje, çrregullime diarreike, skuqje dhe djegie të lëkurës duke komplikuar sistemin kardiovaskular deri në insufiçiencë renale.