Tensionet në veri: Kryetari i Zveçanit s’del në zyrën qendrore, shkon te ajo e komuniteteve
Kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka bërë të ditur se ai sot s’ka dalur në zyrën qendrore të kësaj komune.
Peci në një prononcim për Klankosova.tv tha se punën sot bashkë me kabinetin e tij e ka nisur në zyrën e komuniteteve.“Kemi dalë në zyrën e komuniteteve në fshatin Lipë në komunën e Zveçanit. Nuk kemi dalë në zyrën qendrore për shkak të situatës”, tha ai për Klankosova.tv.
Sipas tij, deri tek ky vendim kanë ardhur pas bisedimeve që kanë pasur me KFOR-in e Policinë e Kosovës.“Në bisedime me KFOR-in e policinë kemi ardhur në përfundim që për shkak të situatës të vijmë këtu. Besoj që do të kthehemi në zyrën qendrore”, tha ai, njofton Klankosova.tv.Kujtojmë se dje situata më e tensionuar në veri të vendit ishte pikërisht në Zveçan, ku pati përleshje të mëdha në mes protestuesve serbë e forcave të KFOR-it.Gjatë përleshjes, protestuesit hodhën shok-bomba, gurë, e koktej molotovi. Ndërsa, përveç KFOR-it sulme pati edhe ndaj mediave.