Tentim sulmi ndaj Rrahman Jasharajt, Prokuroria nis hetimet 
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për tentim sulmin ndaj kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharajt. Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj. “Rastit të cilit i referoheni ju njoftojmë se më urdhër të prokurorit është iniciuar për hetime në drejtim të veprës penale “Kanosja”, si dhe janë autorizuar policia për t’i ndermarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë çështje”, tha Ulja për Gazetën Online Reporteri.net. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj mëngjesin e ditës së sotme mbajti një takim me mësimdhënës në shkollën “Ismail Qemaili” në Prishtinë, ku ishte prezent edhe përfaqësuesi i SBASHK-ut në nivel komunal së bashku me mësimdhënësit e kësaj shkolle. Në mbyllje të mbledhjes, një person i moshuar që ishte prezent në mbledhje ka tentuar të sulmojë Jasharajn kur ai ishte duke dalë nga dera e klasës ku po mbahej mbledhja.I menjëhershëm ishte reagimi i pjesëmarrësve në mbledhje, të cilët kanë larguar personin që tentoi të sulmonte Jasharajn./Reporteri.net/