Traditë e bukur! -Shkruan; Agnesa Thaçi KUREJSHI

“Zambaku i Prizrenit” nuk përfaqëson vetëm një festival muzikor por një institucion kulturor i cili që nga viti 1986 ka ndërtuar një traditë të veçantë të kultivimit dhe transmetimit të muzikës qytetare shqiptare. Në periudhat kur liria e shprehjes artistike dhe promovimi i vlerave kombëtare ishte i kufizuar, ky festival u shëndërrua në një hapësirë rezistence kulturore ku arti e mori mbi vete funksionin e ruajtjes së identitetit kolektiv.

Ndryshe nga shumë manifestime të tjera “Zambaku” ka fituar statusin e një aseti kulturor që bart me vete jo vetëm performancë artistike, por edhe kujtesë historike.

Për neve që jemi rritur në frymën e saj nostalgjia që na shoqëron çdo edicion të tij nuk është thjesht emocionale por shënon një lidhje të ndërbreznore me periudha të vështira ku muzika ka qenë mediumi i vetëdijes dhe i rezistencës shpirtërore.

Zhdukja e këtij festivali nuk do të nënkuptonte vetëm humbjen e një aktiviteti artistik por edhe çrrënjosjen e një pjese të trashëgimisë sonë kulturore jomateriale. Për këtë arsye mbështetja dhe vazhdimësia e “Zambakut të Prizrenit” duhet të kuptohen si një detyrim ndaj trashëgimisë kulturore kombëtare si dhe një investim në formësimin e vetëdijes identitare dhe kulturore të brezave që vijnë anembanë shqiptarisë./QendraPress/