Transparenca në proceset gjyqësore përbën një element thelbësor të parimit publicitas processualism:- Shkruan:-Agnesa Thaçi-KUREJSHI, magjistre e shkencave juridike

Transparenca dhe qasja e qytetarëve në proceset gjyqësore në Prizren mbetet një nga shtyllat kryesore për ndërtimin e besimit publik në drejtësinë lokale Transparenca në proceset gjyqësore përbën një element thelbësor të parimit publicitas processualis të sanksionuar në nenin 6 të “Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut” dhe të reflektuar në nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës. Ky parim siguron që procedurat gjatë zhvillimit të gjykimeve të jenë të hapura përveç rasteve kur mbyllja është e justifikuar ex lege për mbrojtjen e rendit apo privatësisë. Megjithatë, qasja praktike e qytetarëve shpesh kufizohet nga mungesa e publikimit në kohë të orarit të seancave dhe vështirësitë administrative për marrjen e dokumenteve duke cënuar parimin accessus ad iustitiam. Monitorimet e fundit tregojnë se një numër i konsiderueshëm i seancave në Gjykatën Themelore në Prizren mbahen të hapura për publikun çka përbën një praktikë pozitive në përputhje me parimin e “gjykimit të drejtë dhe publik”. Megjithatë qasja reale e qytetarëve mbetet e kufizuar nga mungesa e informatave të qarta, njoftimeve me kohë dhe kapacitetit të ulët administrativ për menaxhimin e kërkesave. Media, si garantuese e kontrollit publik përballet me një proces të ngadalësuar në marrjen e aktvendimeve, ndonëse Ligji për Qasje në Dokumente Publike e garanton këtë të drejtë njëkohësisht garanton afatin ligjor për praktikimin e kësaj të drejte. Zbatimi jo uniform i standardeve të transparencës krijon rrezik për perceptime të arbitrium dhe mund të ndikojë në uljen e besimit në gjyqësor. Për të realizuar një transparencë substanciale dhe jo vetëm formale (transparencia in actu) nevojitet digjitalizim sistematik, publikim proaktiv i vendimeve dhe unifikim i praktikave të komunikimit me publikun, duke i bërë seancat gjyqësore dhe vendimet e gjyqësorit të hapura dhe të qasshme për të gjithë qytetarët/QendraPress/