U nda nga jeta në moshën 88-vjeçare Kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare

       Zbardhen të tjera detaje nga ndarja nga jeta e shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare. Shkrimtari me famë botërore u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 88-vjeçare.  Zemra e Kadaresë rrahu së punuari në QSUT, ndërsa ai kaloi gati 3 vitet e fundit në Tiranë. Pas pandemisë së COVID-19 Kadare kishte vendosur që të kthehej nga Franca, dhe të jetonte në atdhe. Mjeku i tij, që ishte dhe fqinj, tregoi për News24 edhe shkakun e vdekjes së Kadaresë, i cili kishte pësuar një arrest kardiak.

KUSH ISHTE KADARE
                      Ismail Kadare lindi në 28 janar të 1936. Ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhej kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihej edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Kadare nisi të shkruante kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin ‘Man Booker International’ më 2005, çmimin ‘Princesa de Asturias’ për Artet më 2009 dhe Çmimin ‘Jeruzalem’ më 2015. Viteve të fundit ai e ndau kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë. Qëndrimet kritike janë të ndara nëse Kadareja duhet parë si disident apo si konformist gjatë regjimit komunist. Ai qe ndër zërat e pakët kritikë, por mendohet se kjo qe e mundur në sajë të mbrojtjes nga vetë diktatori Enver Hoxha. Është parë njëherësh si ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohor, por edhe si nacionalist mendjengushtë. Disa akademikë janë përsiatur rreth përshkrimit që shkrimtari i ka bërë Shqipërisë nën Perandorinë Osmane si të ndikuar nga prodhimi artistik Orientalist i kohës së regjimit, e përkufizojnë si eurocentrist, esencialist, fundamentalist dhe anti-modernist, duke u bërë shkak i rritjes së islamofobisë dhe racizmit. Në Shqipëri shihet si përfaqësuesi i mitologjisë anti-myslimane.

Biografia
Vitet e hershme
U lind më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës, në një familje bektashie qytetare, i biri i Halit Kadaresë dhe Hatixhes nga Dobatët, duke patur kështu nga e ëma paraardhës bejtexhiun Hoxhë Dobi. Emrin ia dhanë në kujtim e nderim të gjyshit; çifti pati edhe dy fëmijë të tjerë, Kadrijen (1937-2022) dhe Shahinin (1943-2021). Në vogëli kalonte shumë kohë te biblioteka e gjyshit nga e ëma, që ishte gjykatës i shkolluar në Stamboll. I ati ka punuar si postier i gjykatës së qytetit, më 1920 qe ndër 218 vullnetarët gjirokastritë që morën pjesë në Luftën e Vlorës.

Kur u vendos regjimi komunist në Shqipëri ai ishte vetëm 8 vjeç. Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në Gjirokastër. Në moshën 12 vjeçare u arrestua nën akuzën “falsifikues monedhash”, meqë gjatë lojës me shokun e tij kishin krijuar me plumb të shkrirë monedha 5-lekëshe dhe ia kishin treguar gjithkujt me hare. Policia i arrestoi gjatë orës së mësimit në shkollë, dy ditë përpara ditës së votimeve dhe Ismaili bëri dy ditë burg derisa ndërhyri avokati i Kadarenjve dhe e liruan për shkak të moshës së mitur. Kur ishte 13 vjeç zbuloi Makbethin e Shekspirit, dhe kështu i lindi dashuria për letërsinë. Në këtë moshë shkroi tregimet e para të cilat i botoi te revista “Pionieri” në Tiranë. Në moshën 17-vjeçare shkroi dy poezi për Stalinin, gjë që sipas Malcolm, ndihmoi në botimin e librit të tij të parë në moshën 18 vjeçare, një përmbledhje poetike e titulluar Frymëzime djaloshare. Studimet universitare i kreu në Tiranë, ku jetonte te shtëpia e tezeve dhe pasi e ftoi, për gati dy vjet (1957-58) jetoi me Nasho Jorgaqin. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për Mësuesi. Shkroi romanin e tij të parë Mjegullat e Tiranës, të cilin e përfundoi në prag të vijimit të studimeve në Bashkim Sovjetik. Në vitet 1958-1960 studioi në Moskë, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”, gjatë periudhës së zbutjes hrushoviane. Atje pati mundësi të lexonte letërsi bashkëkohore perëndimore, e cila kishte filluar të përkthehej në rusisht. Në institutin Gorki, vendosi t’i hedhë poshtë kanonet e realizmit socialist dhe të shkruajë të kundërtën e asaj që dogma komuniste e quante letërsi “të mirë”.[31] U detyrua t’i braktisë studimet për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. U kthye në atdhe ku nisi punën si gazetar dhe i mëshoi karrierës letrare,[4] por edhe si redaktor i seksionit të letërsisë së huaj në revistën letrare “Drita”.

Vitet ’60
Përgjatë viteve ’50 dhe në fillimet e viteve ’60 u njoh për poezi, kurse duke filluar nga vitet ’60 edhe për prozë. Në atë periudhë pjesa më e madhe e shkrimtarëve i përkisnin brezit të dalë nga lufta. Konflikti mes tyre dhe brezit të ri, Kadare, Agolli dhe Arapi kulminoi në një mbledhje të shkrimtarëve të të dy brezave në vitin 1961, ku ishte i pranishëm dhe vetë Enveri. Kadare që i përkiste brezit të ri mbrojti letërsinë e re dhe çuditërisht Hoxha këtu mori anën e të rinjve. Kjo manovër e Hoxhës ishte edhe goditje ndaj brezit të vjetër ish-partizan, dhe brezin e ri e shndërroi në nomenklaturën e re kulturore. Pas kthimit nga Moska, veprën Qyteti pa reklama e këshilluan që ta mbante të fshehur. Nga ky roman shkëputi një fragment, i cili u botua si novelë me titullin Ditë kafenesh më 1962 te “Zëri i Rinisë”. Sapo doli nga shtypi u ndalua, si vepër dekadente. Në vitin 1963 botoi romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, që trajtonte temën e një gjenerali italian dhe një prifti që vijnë në Shqipëri për të marrë eshtrat e ushtarëve italianë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Romani pasues, Përbindëshi, u botua në revistën “Nëntori”, por u ndalua.

Në parapërgatitjet për Revolucionin Kulturor shqiptar, ashtu si shkrimtarët e intelektualët e tjerë, u zotua të shkonte me leje krijuese në fshat. Kadare u dërgua në Berat ku qëndroi dy vjet si korrespodent i gazetës “Drita”, e ku u njoh me punëtorët e kombinatit të tekstilit. U ngarkua të njihej me punëtorët e kombinatit të tekstilit; duke shfrytëzuar një tregim që kish botuar në fillim të viteve ’60 me titull Dasma e çuditshme dhe në njohje me realitetin e jetës, mori formë fondi i Lëkurës së daulles, i cili u botua pranverën e 1967 në revistën “Nëntori”. Më 1967 u caktua në delegacionin e Lidhjes së Shkrimtarëve që u dërgua në Kinë, bashkë me disa delegacione të tjera. Në atë kohë Revolucioni Kulturor në Kinë ishte në kulm. Përvojat e tij në Kinën komuniste do t’i trajtonte më vonë në veprën e tij. Pas Kinës, delegacioni i Kadaresë qëndroi dy javë në Vietnam, ku lufta vazhdonte. Ditën e fundit kur po kalonin lumin Mekong me një trap të madh i zuri bombardimi midis lumit. 

Vitet ’70, suksesi ndërkombëtar
Kronikë në gur, 1971
Në fillim të vitit 1970 shtëpia botuese franceze Albin Michel botoi në frëngjisht romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Ai pati jehonë të jashtëzakonshme në Francë dhe brenda tri vjetësh u përkthye në gati 20 gjuhë. Më tej iu rikthye prapë temave historike. Shkroi e botoi romanet Kështjella (1970) dhe Kronikë në gur (1971), të cilat u botuan në Francë njëra pas tjetrës. Gjatë këtyre viteve drejtonte po ashtu revistën e vetme në gjuhë të huaj të Lidhjes së Shkrimtarëve, “Les Lettres albanaises”. Pas suksesit në Francë, e caktuan deputet dhe pas dy vitesh u anëtarësua në Partinë e Punës të Shqipërisë. 

Pas publikimit të dy romaneve me temë historike, Kadare u përball prapë me kritikat për shmangien e temave “aktuale”, prandaj mendoi të shkruante një roman me temë prishjen e Shqipërisë me vendet tjera komuniste në dimrin e viteve 1960-1961, që pastaj t’i kishte duart e lira t’i rikthehej historisë dhe legjendave shqiptare për të cilat kritikohej që e kishte lënë pas dore Shqipërinë e Re. Romanit i vuri titullin Dimri i vetmisë së madhe. Sapo doli në fillim të vitit 1973, në sajë të kritikave, u përpunua dhe u ribotua në vitin 1977 nën titullin e ndryshuar Dimri i madh dhe u përkthye edhe në frëngjisht./shqip.com/