UÇK – Nga Çlirimi i Kosovës tek Lëvizja për Drejtësi Evropiane./Shkruan ;Ruzhdi GASHI avokat

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e formuar në vitin 1993, ishte përmbyllja e një epoke të gjatë të rezistencës shqiptare dhe fillimi i epokës së lirisë. Ajo lindi nga dhimbja dhe padrejtësia, nga vuajtja dhe shpresa, nga gjaku i atyre që nuk pranuan të jetojnë pa dinjitet. Në kohën kur Kosova ishte e pushtuar, kur çdo përpjekje paqësore shtypej me dhunë dhe kur identiteti shqiptar përjashtohej nga institucionet, UÇK-ja u bë përgjigjja e vetme dhe e natyrshme e një populli të robëruar.
Nga liria e fituar tek padrejtësia e re
Falë sakrificës së saj, Kosova u çlirua dhe më 1999 u hap rruga drejt shtetësisë dhe pavarësisë. Por, dy dekada më pas, historia po përmbyset. Ata që çliruan vendin, sot po gjykohen në emër të “drejtësisë ndërkombëtare”. Ajo që dikur quhej luftë çlirimtare, sot përpiqet të etiketohet si “krim lufte”. Ky është paradoksi më i madh i kohës sonë dhe dëshmia më e qartë e padrejtësisë evropiane ndaj shqiptarëve.
Në vend që të nderohet kontributi i UÇK-së si një forcë çlirimtare që ndaloi gjenocidin dhe spastrimin etnik, në Hagë po zhvillohet një proces që synon të barazojë viktimën me agresorin. Kjo është një padrejtësi që nuk e godet vetëm UÇK-në, por vetë themelet e drejtësisë ndërkombëtare dhe moralin e Evropës.
Rilindja e frymës së UÇK-së
Por ajo që nuk kuptohet në kancelaritë evropiane është fakti se UÇK-ja nuk ishte vetëm një strukturë ushtarake – ajo ishte frymë, ideal dhe vetëdije kombëtare. Dhe fryma nuk burgoset. Ajo rilind në çdo brez që ndjen padrejtësi ndaj vendit të vet.
Sot, kjo frymë po rilind. Po kthehet në një uragan të ri kombëtar, që po ngrihet kundër padrejtësive të reja dhe po kërkon rikthimin e dinjitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Është një lëvizje që po lind nga zemra e popullit, nga ndjenja e padrejtësisë që po u bëhet heronjve të lirisë, dhe që po e bashkon kombin përtej kufijve shtetërorë.
Platforma “Liria ka Emër” – Bashkimi i ri shqiptar
Në rrethanat e reja politike, fryma e UÇK-së po shndërrohet në një platformë të re të bashkimit kombëtar – “Liria ka Emër”. Kjo platformë nuk është thjeshtë simbolike; ajo është thirrje për vetëdije, për përgjegjësi dhe për veprim. Është thirrje që shqiptarët të mos lejojnë që historia e tyre të rishkruhet nga të tjerët, por ta mbrojnë me dinjitet, ashtu siç mbrojtën atdheun dikur me armë në dorë.
Nën këtë platformë, shqiptarët mund të ribashkohen përtej ndarjeve partiake, fetare apo krahinore – ashtu siç u bashkuan në vitet e luftës – me një qëllim të përbashkët: mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe të drejtës për të qenë të barabartë në familjen evropiane.
Shqiptarët si faktor në Evropë
Nëse dje UÇK-ja ishte faktori që ndryshoi gjeopolitikën e Ballkanit, sot shqiptarët kanë mundësi të bëhen faktorë të rëndësishëm në ndërtimin e një Evrope të re – më demokratike, më humane dhe më të drejtë. Populli që e njeh më mirë se kushdo çmimin e lirisë, mund të jetë zëri më i fortë për drejtësi në Evropën e sotme, që shpesh harron vlerat mbi të cilat është ndërtuar.
Prandaj, beteja e UÇK-së nuk ka përfunduar. Ajo ka kaluar nga pushka në penë, nga fronti në sallat e gjykatave dhe nga fushëbeteja në opinionin publik ndërkombëtar. Sot, çdo shqiptar që mbron të vërtetën e luftës çlirimtare është ushtar i së njëjtës kauzë – kauzës së lirisë që ka emër, që ka histori dhe që ka amanet.
Përfundim
UÇK-ja e vitit 1993 e çliroi Kosovën nga Serbia; sot, fryma e saj po bëhet uragan që do t’i çlirojë shqiptarët nga padrejtësitë e Evropës. Në këtë proces, shqiptarët nuk do të jenë viktima të historisë, por krijues të saj. Sepse Liria ka Emër – dhe ai emër është UÇK.
18 tetor 2025
K o s o v ë/QendraPress/