UÇK është margaritar i qytetërimit evropian – Shkruan;Faton Abdullahu kolumnist ,analist politik
UÇK- ja është vlerë e qytetërimit evropian. Në të vërtetë, UÇK-ja është margaritar i qytetërimit perëndimor në përgjithësi. A kam të drejtë të konstatoj kështu?
Kur kah fundi i shekullit të kaluar interesat gjeopolitike ruse janë̈ konsoliduar për ta mbrojtur Jugosllavinë nga shpërbërja, si kusht i shtrirjes dhe rikthimit të tyre në Ballkan, përmes unitarizmit jugosllav të Millosheviqit, shqiptarët janë rreshtuar kundër këtij projekti. Faza më e lartë dhe më bindëse e këtij rreshtimi të shqiptarëve ka qenë përgjigja me luftë, konkretisht, lufta e UÇK-së (natyrisht edhe e UÇPMB-së dhe UÇK-së në Maqedoni). Shqiptarët në Jugosllavi nuk kanë mundur ta bëjnë këtë pa luftë, siç e bënë polakët me ‘Solidarnostin’ dhe Leh Valensën, as si çekët me Vacllav Havellin, bile as si rumunët me vrasjen kryetarit të tyre Qausheskut. Është dashur edhe një hap tutje. Është dashur të bëhet lufta për liri me armë në dorë, sepse kishim të bënim me një shtet që ofronte vetëm robëri me dhunë. Jugosllavia kurrë nuk ka qenë shtet demokratik. Ajo i ka bërë ballë shumë epokave dhe ndryshimeve, por jo demokracisë. Thjesht, Jugosllavinë e ka shpërbë liberal demokracia evro-perëndimore. Si askund në Evropën Lindore, kjo në Kosovë nuk ka mundur të ndodh kurrë pa luftë.
Kundër interesave ruse në Ballkan, kundër Millosheviqit si vazhdim i këtyre interesave, në anën tjetër, për liberal demokracinë perëndimore dhe për gjeopolitikën evro-atlantike, ka dal UÇK-ja me pushkë në dorë. Ashtu si dikur Skënderbeu i cili ju priu shqiptarëve me shpatë në dorë, për lirinë e tyre dhe e mbrojti Evropën duke ndalur hyrjen e osmanëve në kontinent, ashtu edhe UÇK- ja doli për lirinë e shqiptarëve dhe kundër interesave anti-evropiane ruso-serbe, në këtë rajon të Evropës. Prandaj, Skënderbeu është çmuar gjithmonë nga Evropa dhe krejt perëndimorët, për të njëjtën arsye nga të njejtit çmohet lufta e drejtë e UÇK-së dhe shteti i Kosovës që i ka themelet tek kjo luftë dhe ky rreshtim. Ajo çfarë bëri EULEX-i dje në Prishtinë dëshmoj se e ka harruar këtë të vërtetë, për më keq se po kthehet kundër kësa historie të lavdishme evropiane.