Udhëtimi pa viza nga 1 janari – ja sa para duhet të keni me vete kur udhëtoni në zonën Shengen
Faqja qeveritare Integrimi Evropian i Kosovës, ka ndarë disa informata për shumën e parave që duhet të kenë me vete qytetarët e Kosovës që do të udhëtojnë për në zonën Shengen pas 1 janarit 2024.Sipas kësaj faqe si udhëtar me të arritur në pikën e parë kufitare të Shengenit, nga policia kufitare juve mund t’ju kërkohet nëse keni dëshmi të mjaftueshme financiare për udhëtimin tuaj. Sasia e këtyre mjeteve varet nga dy grupe faktorësh: 1) nga numri i ditëve që do të qëndroni dhe shteti të cilin e vizitoni dhe 2) nga ajo nëse do të qëndroni në akomodim me pagesë si hotel/apartament apo tek të afërmit tuaj.“Nëse deklaroni se do të qëndroni tek të afërmit tuaj duke ofruar adresën dhe kontaktin e tyre, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve është rreth 30 – 50 EUR në ditë për person. Nëse deklaroni se do të qëndroni në një hotel apo apartament apo çfarëdo akomodimi tjetër me pagesë, varësisht se cilin shtet e vizitoni, shuma e mjeteve që duhet të ofroni si dëshmi financiare është rreth 50 – 100 EUR në ditë për person”, thuhet në njoftimin e faqes Integrimi Evropian i Kosovës.Tutje në njoftim thuhet se akomodimi nga miqtë apo familjarët mund të verifikohet duke kontaktuar drejtpërdrejtë mikpritësin me telefon ose duke verifikuar adresën e tyre përmes policisë.Derisa, verifikimi i mjeteve të mjaftueshme financiare mund të bëhet në disa forma duke ju kërkuar të tregoni para të gatshme (cash), kartelë bankare, kartë krediti, letër konfirmimi nga një konferencë apo seminar që mbulon shpenzimet tuaja për akomodim e ushqim, dëshmi për pagesën e hotelit apo çfarëdo konfirmimi a dëshmie tjetër për kostot tuaja gjatë udhëtimit.“Çdo shtet i Shengenit përcakton shumën; ju lutemi konsultoni faqen e internetit të shteteve anëtare të zonës Shengen të cilat planifikoni ti vizitoni. Pra, shuma ditore dallon nëse vizitoni Greqinë, Kroacinë apo nëse vizitoni Zvicrën apo Norvegjinë. Një tabelë me shumat referente mund ta shihni në këtë link: https://homeaffairs.ec.europa.eu/…/reference_amounts…”, thuhet në njoftim.Për fund, ju nuk keni nevojë të keni të deponuara sasi të caktuar të mjeteve në bankë, por ju duhet të dëshmoni që keni mjete të mjaftueshme financiare për të mbuluar qëndrimin tuaj atje duke përfshirë kostot për kthimin në Kosovë.