Urim për Ditën e Forcës së Sigurisë së Kosovës –Shkruan;Hisen BERISHA,Deputet i Parlamentit të Kosovës.
Në këtë ditë të shënuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), përulemi me respekt ndaj të gjithë atyre që kanë shërbyer dhe kontribuar për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit tonë. FSK-ja është mishërimi i përpjekjeve tona për liri, dinjitet dhe sovranitet, duke u ndërtuar si një institucion i përkushtuar ndaj mbrojtjes së integritetit territorial dhe ruajtjes së paqes. Megjithatë, suksesi i çdo force qëndron jo vetëm në vlerat e saj simbolike, por edhe në fuqinë reale që ka për të përmbushur objektivat strategjike dhe operacionale. Për këtë arsye, mbetet jetike që të analizojmë dhe të reflektojmë mbi të arriturat dhe sfidat e saj, duke u bazuar në të dhënat dhe realitetin aktual. Analiza pas Veprimit për Ushtrimin Fushor “Ujku i Çelikt” të Forcës së Sigurisë së Kosovës Një APV, përfshinë Atë që ishte planifikuar të bëhet; atë që u bë; çfarë mbeti pa u bërë (apo nuk u realizua sipas planifikimit); ri planifikimi. Kjo analizë pritet të bëhet nga Komandanti i Ushtrimit Fushor “Ujku i Çeliktë”, ditët në vazhdim. Nga prizmi i një ushtaraku të analizave të mbrojtjes dhe politikave të sigurisë e mbrojtjes, ushtrimi fushor “Ujku i Çelikt” i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka sjellë në vëmendje disa çështje kritike që kërkojnë një analizë të thelluar të masave të ndërmarra dhe deklaratave të bëra. Në këtë analizë duhen shqyrtuar disa çështje kkritike që kanë dalë në pah gjatë këtij ushtrimi, të cilat përfshijnë pretendimet për rritjen e buxhetit, ekspozimin sasior të armëve dhe vendstozhimin e pajisjeve dhe sistemeve të armatimit, vetëvlerësimin e kapaciteteve ushtarake, shkeljet diplomatike dhe rolin e aleatëve ndërkombëtarë. Gjatë fjalës së tij Kryeministri Kurti theksoi se “buxheti për ushtrinë është trefishuar, ndërsa numri i ushtarëve është dyfishuar, duke u përqendruar edhe në trajnimin intensiv të ushtarëve tanë, i cili është katërfishuar”. Këto spekulime për efekte populiste elektorale dhe çështjet që do analizohen në vazhdim nxjerrin në dritë pasojat që spekulimi me pasaktësi të të dhënave nga ushtrimi mund të ketë për vendin dhe për pozicionin e tij strategjik. 1. Pretendimi për Rritjen e Buxhetit të FSK-së Kryeministri Albin Kurti deklaroi se buxheti për FSK-në ishte trefishuar për vitin 2025. Megjithatë, të dhënat tregojnë se rritja nga 150 milionë euro në 207 milionë euro përfaqëson një rritje prej vetëm 38%, larg nga deklarata për trefishim. Ky pretendim i pasaktë është një shembull i keqinformimit të publikut dhe të vendimmarrësve, duke sjellë lajthitje dhe përkeqësuar procesin e planifikimit strategjik. Për më tepër, rritja e pamjaftueshme e buxhetit dhe dështimi në investimet kapitale, siç është mosimplementimi i 10 milionë eurove për investime kapitale të buxhetit të vitit 2024 për projektin e zhvillimit të kapaciteteve të Forcës, nxitë pyetje serioze mbi prioritetet dhe menaxhimin financiar të qeverisë përkatësisht keqmenaxhimin si dukuri në MM. Ngatërrimi i investimeve kapitale me subvencione dhe grante, gjithashtu shton dyshimet mbi transparencën buxhetore. Sipas leximit të buxhetit të viteve rëndese, del se subvencionet dhe grantet janë mekanizëm për vjedhjen e buxhetit. 2. Ekspozimi Sasior i Armëve dhe kapaciteteve të arritura Në kuadër të ushtrimit, kryeministri deklaroi se FSK-ja ekspozoj edhe në ketë ushtrim të armatimeve dhe pajisje të reja moderne. Megjithatë, armët e ekspozuara ishin në të vërtetë të njëjtat armatime të mëparshme. Ky ekspozim i tejzgjatur sasior përbën një rrezik, pasi në vend që të rrisë besimin në fuqinë ushtarake të vendit, tregon dobësitë e saj. Fakti që gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur trajnime për oficerë jashtë vendit dhe se për vitin 2025 kërkesat buxhetore për burimet njerëzore nuk janë mbështetur sa është kërkuar nga resori përkatës sipas planifikimit 2025, ndaj ka një diskrepancë të thellë në mes kërkesave dhe buxhetit të planifikuar. Kjo dëshmon për një mungesë të thelluar të angazhimit për përmirësimin e kapaciteteve të forcës. Spekulimi me rritjen e pagave për ushtarët bie ndesh me realitetin formal siç mund të verifikohet në shtojcën nr. 4 të Ligjit nr. O8/L-196 të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, pozita nr.18 – koeficienti 5.6 që shumëzuar me vlerën110 euro, del paga bruto e ushtarit 616. Pra, (5.6×110=616). Kjo situatë reflektohet në të gjithë sektorët e tjerë të FSK-së, duke ngritur shqetësime serioze mbi gatishmërinë dhe aftësitë operacionale. Ndërkohë që pretendimin për dyfishimin e personelit u mundua të kamufloj faktin se konkurset për të aplikuar për tu bërë pjesëtar të forcës, rrinë të hapura e nuk aplikon numri i duhur për cilësi, për shkak të degradimit të kushteve të shërbimit, pa veshmbathje, pa rritje pagash, pa pajisje, pa trajnime, pa bukë, etj. Pra, në këtë fazë sipas projektit të FAK është dashur të arrihen KFO (Kapacitetet Fillestare Operacionale), gjë e cila ka stagnuar. 3. Vetëvlerësimi dhe Rreziku për Sigurinë Kombëtare Një nga pikat më të debatuara është “validimi” i Regjimentit të dytë të Forcës, i cili është prezantuar si një vetëvlerësim pa ndonjë certifikim nga NATO. Ky vetëvlerësim pa koordinimin dhe asistencën tekniko – profesionale të aleatëve nga PUN në Kosovë dhe NATO, është një akt i mashtrimit apo veprim për efekt të propagandës elektorale, që rrezikon seriozisht sigurinë dhe mbrojtjen e vendit. Rasti i vlerësimit certifikues ishte “Defender Europe ‘23” nga i cili jemi përjashtuar pa u certifikuar për shkak të veprimeve e vendimeve politike të qeverisë të pa pranueshme për aleatët që e garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e shtetit të Kosovës në periudhën e tranzicionit të Forcës. Mundësia e radhës është “Defender Europe ‘25”. NATO, që kryen vlerësimet në dy nivele (ushtrime brenda vendit dhe ato shumëkombëshe për operacione ndërkombëtare), nuk ka dhënë ndonjë vlerësim për asnjërin regjiment. Për më tepër, dështimi në implementimin e objektivave të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT) shkakton grumbullimin e tyre në fazën e fundit dhe vonesat në fillimin e realizimit të objektivave të fazës së tretë, si zhvillimin e kapaciteteve ajrore dhe forcave rezervë – Gardës Nacionale, janë shenja të qarta të problemeve strukturore që prekin përparësitë strategjike të Forcës. 4. Shkeljet Diplomatike dhe Pasojat Politike Ushtrimi u shoqërua me përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar, gjë që është një shkelje e parimeve kushtetues të shtetit të Kosovës. Ky veprim është një sfidë ndaj simboleve dhe identitetit të shtetit të Kosovës, duke prejudikuar se FSK-ja nuk i respekton dhe mbron simbolet shtetërore. Nëse Forca do të kishte në radhët e saj ushtarë nga komunitete pakicë, atëherë do ju jepte të drejtë ti prezantojnë edhe flamujt e tyre nacional për të pasqyruar multietnicitetin e saj. Kjo ngre pyetje mbi pozicionin e qeverisë, që ka përdorur retorikën e bashkimit kombëtar dhe fyerjes së simboleve shtetërore për të përfituar mbështetje elektorale. Në këtë kontekst, qasja anti-shtetit të Kosovës është alarmante, duke i pozicionuar forcat politike të lidhura me këtë qasje në linjë me interesat e Serbisë dhe aleatëve të saj, që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur. 5. Mosprezenca e Aleatëve Ndërkombëtarë dhe Roli i IOWA-s Një nga aspektet më të diskutueshme të ushtrimit ishte mungesa e përfaqësimit nga aleatët ndërkombëtarë, me një theks të veçantë mbi mungesën e përfaqësuesve e të Gardës Kombëtare të IOWA-s. Kjo është parë si një zhvendosje strategjike e diskutueshme, pra kalimi nga mbështetja amerikane e IOWA-s në partneritet ekskluziv me Turqinë, është një devijim nga orientimi pro-perëndimor i vendit dhe Forcës, si një rrezik për marrëdhëniet me aleatët kryesorë të Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe duhet të mbeten partneri më i fuqishëm strategjik i Kosovës. Largimi nga ky partneritet në favor të aleatëve me qasje të ndryshme politike e ushtarake është cilësuar si një tradhti ndaj interesave të vendit. Përndryshe Kosova ka nevojë të lidhe Traktat për Mbrojtje të Ndërsjellë me SHBA, model i njëjtë siç e ka SHBA me Korenë Jugore. Konkludim Ushtrimi fushor “Ujku i Çeliktë” i FSK-së ka nxjerrë në pah disa probleme strukturore dhe sfida politike që mund të ndikojnë në sigurinë dhe stabilitetin e vendit. Problemet e evidentuara në buxhet, kapacitetet ushtarake, vlerësimet strategjike dhe shkeljet diplomatike janë indikatorë që kërkojnë një rishikim të qasjes aktuale. Për ta forcuar FSK-në si një forcë të besueshme dhe të aftë për të përmbushur detyrat e saj, duhet të përqendrohemi në përmirësimin e kushteve financiare, trajnimin e burimeve njerëzore, përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe respektimin e parimeve kushtetuese. Shkatërrimi i besueshmërisë së FSK-së do të ishte një goditje serioze për vetë stabilitetin e Kosovës si një shtet i pavarur dhe sovran./www.QendraPress,com/