Për shumicën e njerëzve marrja e ushqimit është kënaqësi, por për të tjerët mund të  Mënyra e të ushqyerit nuk është çështje vetëm për individin, por edhe për shoqërinë moderne në përgjithësi.

Shprehitë fitohen në fëmijëri

Mënyra e të ushqyerit dhe aktiviteti fizik zakonisht janë shprehje e kulturës bazale që fitohet në fëmijëri dhe varet nga statusi shoqëror, gjinia…

Me edukim të përgjithshëm dhe individual këto shprehi modifikohen (keqësohen apo përmirësohen). Mënyra e jetës moderne “me dhunë” i modifikon këto shprehi, mjerisht nga e keqja. Kush ka kohë të ulët në tavolinë e të kënaqet me ushqimin që e ka zgjedhë dhe përgatit me kujdes? Më lehtë është të ndalemi te shitorja e parë e ushqimit të shpejtë, të marrim diç për të mbush barkun dhe të vazhdojmë punën tonë të ditës. Çfarë kualiteti ka ky ushqim? Për këtë do të mendojmë më vonë!

Dija që nuk aplikohet nuk vlen

Ushqimi ka rol gjithnjë e më të madh në mjekësin e përditshme, konsiderohet shkaktar i shumë sëmundjeve. Jeta pa ushqim është e pamundur, por pasi jeta është gjithnjë më e gjatë, e ne dëshirojmë që ajo të jetë sa më kualitative, rol të posaçëm ka ushqimi që e konsumojmë.

Është interesant rezultati nga anketat se 90% të njerëzve kanë informata të mjaftueshme për ushqimin. Pra, e kemi të qartë se duhet ndërruar shumë gjëra në mënyrën e ushqimit, por më pak se 10% nga “grupi 90%” me të vërtetë edhe veprojnë – bëjnë ndërrime në të mirë lidhur me shprehitë e veta.

Vrasësit e njerëzimit

Në kushtet e civilizimit të sodit, sipas OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë), shkaku më i shpeshtë i vdekjes, është arteroskleroza e arterieve të zemrës. Vetëm në Evropën Perëndimore dhe SHBA, 4 milion njerëz pëson infarkt të zemrës çdo vit – pra, një infarkt i zemrës në 200 banor, çdo vit! Lidhshmëria e ngushtë e kësaj sëmundje dhe ushqimit, duke përfshirë sasitë e tepërta të yndyrës, kolesterolit dhe kalorive, është e pamohueshme.

Kanceri është shkaktari i dytë i vdekjes në botën e sodit. Shkakton 2 miliona vdekje në vit. Llogaritet që një e treta e rasteve e të gjithë llojeve të kancerit, si një nga shkaqet ka komponentë ushqimin.

Vrasësi numër tre i njerëzimit është pika në tru, që lidhet me hipertension dhe arterosklerozë. Hipertensioni gjithashtu lidhet me ushqim pasi 20% të njerëzve është tejet e ndjeshme në kripë, kurse obeziteti (majmëria) qartë i kontribuon shtypjes së lartë të gjakut.

Numër i madh i njerëzve vuan nga diabeti (sëmundja e sheqerit). Në fazën fillestare, mendohet se pothuajse 100% të këtyre të sëmurëve mund të kontrollojnë sëmundjen me ushqim të balancuar, pra mund plotësisht të eliminohen barnat. Bile, barnat mund të janë të padëshirueshme. Ato sjellin momentin psikik i cili jep komponent sigurie dhe mashtrimi: “kur i marrë barnat mund të ushqehem me çka kam qejf” – gabim i madh që kushton shtrenjtë!

Gjithmonë ka alternativë

Për shoqërinë, kostoja e sëmundjeve që i shkakton mënyra e të ushqyerit “modern” është tejet e lartë. Humbet fuqia punëtore më produktive, kurse çmimi i shërimit të sëmundjeve është marramendës. Humbjet, si tragjedi individuale praktikisht janë të pamatshme. Mjekësia ishte tejet rezistente në qasjen e ‘plotësimit’ të ushqimit me vitamina, minerale e substancave antioksidanse. Në ndërkohë është zhvilluar teknologjia e prodhimit të këtyre preparateve. Studimet e mëdha dukshëm i kanë luhatë mjekët në këtë aspekt. Efektet e shtimit të vitaminave dhe mineraleve në ushqim duket se janë pozitive.

Ushqimi i shëndoshë, natyral, është edhe më tutje në vend të parë, mirëpo shtim i përbërësve të ushqimit është bërë përditshmëri në praktikën e mjekut të shteteve perëndimore me pretekst se rritet kualiteti i jetës dhe zgjatët jeta. E pamohueshme është se këtë mendim e ‘stimulon’ industria farmaceutike dhe ajo e ushqimit. Reklamat e shumta në media kanë fuqi të madhe bindëse si për mjekun ashtu edhe për laikun. Cila është e vërteta? Në këtë moment ka ‘ngarkesë’ të madhe informative shkencore dhe pseudoshkencore lidhur me këto preparate. Këto preparate, në njërën anë janë ‘zgjedhje’ e problemit të ushqimit modern, në tjetrën shpallën si mashtrim e të pavlefshme. Ata që kanë qëndrim ‘të mesëm’ thonë se së paku nuk dëmtojnë!

Dieta e Mediteranit

Dieta e Mediteranit nënkupton ushqimin tradicional të viseve bregdetare të Mediteranit, e këtu më së shumti mendohet në ishullin e Kretës, disa pjesë tjera të Greqisë dhe Italinë Jugore. Mjekësia u interesua për këtë dietë në vitet e 60-ta kur statistika dëshmoi se popullsia e këtyre rajoneve jeton mesatarisht shumë më gjatë se në viset tjera të botës. Hulumtimet dëshmuan se në këtë popullsi ka më pakë sëmundje të zemrës, kancer dhe sëmundje tjera kronike. Variacione të kësaj diete, natyrisht se ekzistojnë. Nuk ushqehen në Italinë Jugore si në pjesët jugore të Francës, Liban, Portugali, Spanjë, Siri, Turqi apo në rajone tjera të Mediteranit, mirëpo ekzistojnë disa karakteristika të përbashkëta. Për shembull në të gjitha këto vise kultivohet ulliri dhe kjo e dhënë kohë të gjatë preokupoi studiuesit.

Çka e karakterizon Dietën e Mediteranit?

Karakteristikat e dietës së Mediteranit të viteve të 60-ta janë: sasia e mëdha e pemëve, perimeve (kryesisht të freskëta) dhe drithërave të papërpunuara; vaji i ullirit si burimi themelor i yndyrës; produktet e qumështit (posaçërisht djathi dhe jogurti); peshku si burim kryesor (apo i vetëm i mishit), mishi i kuq dhe vezët rallë konsumohen, dhe në fund vena e cila sipas traditës merret me ushqim. Këtu duhet përmend edhe një karakteristik të viteve të 60-ta: në Mediteran nuk shihej njeriu i trashë, njerëzit kryesisht ishin fizikisht aktiv!

Si i ndihmon zemrës Dieta e Mediteranit?

Ushqimi i Mediteranit përmban sasi të vogël të yndyrave të ngopura, përkatësisht sasi të madhe të yndyrave të pangopura që kryesisht gjenden në vajin e ullirit. Si pasojë përmirësohet profili i yndyrave në gjak (zvogëlohen trigliceridet dhe LDL kolesteroli, rritet HDL kolesteroli). Zvogëlohet oksidimi i yndyrave. Zvogëlohet tendenca për ngjizje gjaku. Përmirësohet funksioni i endotelit (shtresës së qelizave që gjenden nga ana e brendshme e enëve të gjakut). Zvogëlohet rezistenca e indeve në insulinë. Zvogëlohet potenciali aritmogjen (i çrregullimit të ritmit) i zemrës. Zvogëlohet inflamacioni dhe zvogëlohet niveli i përqendrimit të homocisteinës. Ushqimi i tillë, dobi ka edhe në parandalimin e diabetit, obesitetit (trashësisë), kancerit sidomos të zorrës së trashë, gjirit dhe prostatës. Dieta e Mediteranit përmban sasi të mëdha të antioksidantëve: Vitamina E, C, karotenoide dhe komponentë të polifenoleve.

Studimet për Dietën e Mediteranit

Në njërën nga revistat më eminente botërore të mjekësisë “The New England Journal of Medicine” u publikua studimi më i gjerë deri më tani lidhur me dietën e Mediteranit. Në studim ishin përfshirë rreth 22.000 njerëz të moshës 20 deri 86 vjet. Vdekshmëria ishte për 25% më e vogël te ata që ishin në ushqim tradicional. Përfundimi është interesant: dobia nuk rrjedhë vetëm nga vaji i ullirit, por nga kombinimi i artikujve ushqimor që zakonisht gjenden në tryezën e njeriut të mediteranit. Dobia ishte evidente në parandalimin e kancerit dhe të sëmundjeve të zemrës.

Besohej që vaji i ullirit është ai që mundëson popullatës së 16 vendeve të mediteranit të jetojnë më gjatë se amerikanët dhe të kanë më pak sëmundje të zemrës dhe të kancerit, edhe pse përdorin ushqim me më shumë yndyrë. Mirëpo studimi dëshmoi se vet vaji i ullirit nuk zvogëlon vdekshmërinë. Vaji i ullirit luan rol kryesor, por nuk është i vetmi. Kur u analizuan komponentët e ndryshme të Dietës Mediterane, nuk u gjet që ndonjë komponent e veçantë zvogëlon vdekshmërinë. Duket se kombinimi i disa artikujve ushqimor të rëndomtë mediteran zvogëlojnë rrezikun nga vdekja e hershme.

Natyrisht se edhe para këtij studimi ishte e qartë dhe kishte evidenca shkencore se ushqimi i mediteranit i konvenon zemrës dhe enëve të gjakut. Në vitin 2000 Konferenca Internacionale për Dietë të Mediteranit preferoi amerikanëve dhe evropianëve të përmirësojnë mënyrën e të ushqyerit duke përqafuar dietën e Mediteranit. Moti është thënë se duhet ngrënë si në Mediteran e vrapuar si në Amerikë.

Sidoqoftë, e pamohueshme është se nëse dëshironi ta mbani sëmundjen larg vetit dhe larg familjes, ushqimit i kushtoni rendësi primare. Relaksoni trurin, kurseni lukthin, aktivizoni muskujt – do të jeni më të shëndoshë!