Ushtarak i karrierës, dikur pjesë e UÇK-së – kush është Ejup Maqedonci, Ministri i ri i Mbrojtjes

                     Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se ka emëruar kolonelin e FSK-së Ejup Maqedonci në pozitën e ministrit të Mbrojtjes, pas dorëheqjes së befasishme të Armend Mehaj. Kurti ka njoftuar se ka pranuar dorëheqjen e ministrit të deritanishëm Armend Mehaj, e cila sipas tij është bërë për shkaqe familjare.“Sot, me kërkesë të ministrit të mbrojtjes, Armend Mehaj, kam pranuar dorëheqjen e tij. Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës. Ministër të ri të mbrojtjes emërova Ejup Maqedoncin, me të cilin kemi bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera”, ka shkruar Kurti. E ish-ministri Mehaj tha po ashtu se është larguar për shkaqe familjare, e që kryeministrin Kurti e kishte lajmëruar kohë më parë për vendimin e tij. Mehajdo të zëvendësohet nga koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Kush është Ministri i ri i Mbrojtjes:

Maqedonci është ushtarak i karrierës. Kolonel Maqedonci ka përfunduar dy Kolegje ushtarake dhe dy programe master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Para se të bëhej pjesë e FSK-së, Ejup Maqedonci kur i kishte 19 vjet iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’i shërbyer edhe atëkohë atdheut të tij. Gjatë asaj kohe, ka shërbyer si Komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit në UÇK. Koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedonci, i cili një trajnim në vitin 2010 në Japoni e kishte përfunduar me lëndim të rëndë, dhe kishte refuzuar 30 mijë dollarë për shërim, vetëm që të mos dëmtohet imazhi i ushtrisë së Kosovës. “Gjatë atij trajnimi, fatkeqësisht unë u lëndova. Nga zyrtarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë u ftova që të diskutojë rreth ndërprerjes së trajnimit dhe kthimit në Kosovë, si dhe tërheqjes së shumës prej 30 mijë dollarëve që ka qenë në kontratë. Unë as që e kam menduar punën e 30 mijë dollarëshit. Kam pasur shqetësim se nuk do të mund të vazhdojë punën e trajnimit. Ditën e nesërme kam kërkuar nga japonezët që të vazhdojë trajnimin edhe me një këmbë”, deklaroi Ejup Maqedonci. Pas këtij veprimi, nga autoritet japoneze, Maqedonci ishte caktuar përgjegjës i ushtarëve të 8 shteteve pjesëmarrëse nga e gjithë bota. Mehaj kishte ardhur nga Norvegjia për t’u bërë pjesë e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, e cila u votua në mars të vitit 2022. /Reporteri.net/