Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlerë e shtuar mbi vlerat më të mira të Kosovës tash e rreth 2500 vjet Shkruan;Bashkim Hoxha,analist politik

0

Mendoj se është koha  që Kosova të mobilizohet më shumë. Në Hagë tani e katër  ditë e kemi presidentin që po   intervistohet  nga prokuroria për krime  lufte. Gjendemi  në një fazë të paqartësive të theksuara  politike, diplomatike e me premisa  pothuaj  të frikshme në aspektin e marëdhënieve ndërkombëtare. Ndërprerja e dialogut në Shtëpinë e Bardhë, pavarërësisht asaj që mund  thuhet dhe po thuhet se procesi do të vazhdojë normalisht e  i palënduar,   nuk  mendoj se një narrativë  i tillë qëndron. Personalisht ndaj opinionin  kjo që ndodhi, respektivisht publikimi i aktakuzave ndaj dy drejtuesëve më të rëndësishëm të UÇK-së në prag të rifillimit të dialogut,  madje në momentin kur  presidenti Thaçi ndodhej  në aeroplan duke udhëtuar drejtë Shtëpisë së Bardhë, përbën preçedentin pabesueshmërisht më të mynxyrshëm dhe të mbarsur me  elemente të qarta  “pabesërie komplotiste”  në adresë të procesit politik të Kosovës si dhe  rolit  protagonist  ndërmjetësues të SHBA-ve.  Kjo që po them nuk ka të bëj në asnjë trajtë me  kahje   apasioniste për të prodhuar tymnaja konspiracioniste.  Kemi të bëjmë me një akt të  tejdukshëm dhe   lehtësisht  të  kuptueshëm   përkitazi me konstatimin e sipërthënë.

Kosova, përkatësisht institucionet e saja, pozitë dhe opozitë,  shoqëria civile…  për mendimin tim pa dashur ta ekzagjeroj problemin, gjendja është kjo që është, duhet  t’iu qasen me  më seriozitet  konstelacioneve rrethuese për të  dalur nga kjo gjendje konfuze dhe me gjasa të largëta   optimale rikuperimi.  Ndasitë për çështje meskiniteti politik nuk na duhen në këto rrethana.  Nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Protagonisti kryesor që nga dalja në skenë e UÇK-së:   Rambujeja, Parisi, Vjena, shpallja e pavarësisë, Brukseli, Vashingtoni … na pëlqeu ose jo, është e pamundur t’i shmangemi një emrit të  quhet Hashim Thaçit.  Ndaj tij si themelues dhe drejtues si drejtor politik dhe bashkëthemeluesit tjetër të UÇK-së Kadri Veselit, janë ngritur aktakuza nga më të palogjikshmet dhe më të pabesueshmet për mendjet normale njerëzore.  E gjithë kjo maskaradë thashethemesh e hartuar mbi bazën e thashethemeve, të një mbledhësi poashtu  thashethemesh, Dick Marti.  Asnjë fakt nuk është dokumentuar mbi atë që thuhej për shtëpinë e verdhë.  Atëhere si është e mundur vallë të ngriten akuza mbi diçka që nuk është vërtetuar; mbi diçka që nuk ka ndodhur; mbi diçka abstrakte, inekzistente. Janë tingëllimë e vrazhdë disonante në shpërputhje  me realitetin faktik  deklarat e disa politikanëve sharlatan për kinse nuk  po gjykohet UÇK-ja, qëllimi i të cilëve pa ekuivoke  konsiston në krijimin e opinionit zhvlerësues ndaj hierarkisë drejtuese dhe komanduese të UÇK-së.

Nërkaq, mbrojtja më e mirë e vlerave të luftës, sipas mendimit tim duhet të ndodhë. Të bëhet  nëpërmjet institucioneve tona të cilat janë votuar dhe paguhen prej taksave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.  Ushtria Çlirimtare e Kosovës është vlerë e shtuar mbi vlerat më të mira të Kosovës tash e rreth 2500 vjet. Kjo duhet të thuhet. UÇK e  ka shkruar me gjak historinë më të re të kombit shqiptar. UÇK ka luftuar për ta mbrojtur popullin e Kosovës dhe jo vetëm shqiptarët. 

Sot falë luftës së UÇK-së dhe faktorit ndërkombëtar respektivisht  NATO-s me në krye SHBA-të; përveç shqiptarëve, edhe boshnjakët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptasit, goranët, pse jo edhe ajo pjesë e serbëve që e njeh Kosovën si shtëpi  të tyren … janë përfituesit më të mëdhenj  të  lirisë e  të pavarësisë. Jetojnë  të barabartë, ndoshta  të veçuar  në aspekte  pozitive në raport me shqiptarët shumicë që përbëjnë  mbi 95 % të qytetarëve të Republikës së Kosovës.  Andaj fushata denigruese, linçuese, diskredituese … e me qëllime djallëzore tash e 20 e kusur vjet, përveç se është antihistorike, jologjike, johumane;  më tepër antishqiptare  e me prapavi mjaftë dyshuese në kuptimin deverziv dhe subverziv të lansuara dhe  mbase të financuara  nga qarqe anti-pavarësiste kundrejt  Kosovës.   Në botëkuptimin filozofik, shkencor, human, sociologjik, ushtarak … UÇK,  sa ka zhvilluar luftë kombëtare çlirimtare  aq dhe moderne.  Në asnjë rrethanë nuk  ekzistojnë raste të ketë  vrarë  njerëz civil të ndonjë  nacionaliteti, përkundrazi i ka mbrojtur aq sa ka mundur në kushtet e një lufte  thellësisht të pabarabartë kundruall makinerisë vrastare e  gjenocidiste  dhe të armatosur rëndë të ushtrisë, policisë, shërbimeve sekrete, njësive të rregullta shpesh  të kamufluara si të parregullta… të shtetit serb me në krye Sllobodan Millosheviçin. 

Për mua  tejet e paqartë, shpeshherë lemerisëse,  kur shoh shqiptarë të moshave të ndryshme teksa shpërfaqin momente ngazëllimi kur  komentojnë aktakuzat kundra shqiptarëve që luftuan,  përkatësisht njerëzve që e themeluan dhe e drejtuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.  Me sa duket  këto “sui generisët” përveç akteve ose  proceseve  juridiko-politike, po na përcjellin edhe si njerëz te  shtresa të  caktuara  sociale.  Absurditet i një lloji të veçantë që mund të përdoret si temë për studiues të ndryshëm .  Prandaj, nën dritën e vijimësisë së ngjarjeve ku Kosova nuk është tërësisht imune nga ndikimet propagandistike nga jashtë saj, posaçërisht qarqeve serbo-ruse , institucionet e shtetit duhet të angazhohen  në nxjerrjen dhe miratimin e  ligjit  që  mbron vlerat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës !/qendrapress.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *