Vajza “bisedon” me nënën e vdekur duke përdorur inteligjencën artificiale, thotë se rezultatet ishin të “frikshme”

Pas vdekjes së nënës së saj, Sirine Malas ishte e dëshpëruar për një rrugëdalje për të tejkaluar pikëllimin e saj, shkruan Sky News.

“Kur jeni të dobët, pranoni gjithçka”, tha ajo, transmeton Telegrafi.

Aktorja ishte ndarë nga e ëma Najah pasi ishte larguar nga Siria, vendlindja e tyre – për t’u vendosur në Gjermani në vitin 2015.

Në Berlin, Sirine solli në jetë fëmijën e parë, vajzën e quajtur Ischtar dhe nuk donte asgjë sesa ta takojë me të ëmën e saj. Por para se ta kishin mundësinë, ndodhi tragjedia.

Najah vdiq papritmas pas problemeve që i kishte me veshkat në vitin 2018 në moshën 82-vjeçare.

“Ishte një udhërrëfyes në jetën time”, tha Sirine për të ëmën e vet, për të cilën theksoi se “e mësoi fillimisht ta dojë veten”.

“E gjithë ngjarja ishte e rëndë sepse ndodhi befasisht. Unë vërtetë doja që ajo të takonte bijën time dhe të kisha ribashkimin e fundit”, tha Sirine.

Madje pranoi se dhimbja ishte e papërballueshme.

“Ju thjesht dëshironi ndonjë dalje. Me gjithë ato emocione… nëse e lë aty, ajo thjesht fillon të të vrasë, të të mbytë. Doja të kisha shansin e fundit (të flasë me të)”, shtoi Sirine.

Pas katër vjet përpjekjesh për të përballur humbjen e saj, Sirine iu drejtua Project December, një vegël e inteligjencës artificiale që pretendon se “simulon të vdekurit”.