“Vdekja” është uratë’’….- Nga; Zekirija IDRIZI

Ju kujtohet ajo lutja ime sublime kur e pata publikuar në fillim të këtij viti? Po e përsëris (intimisht, në seancat e mia “bisedimore” me Perëndinë në “halueh” – vetminë metafizike, këtë lutje e shprehi shpesh):
“Im Zot, më dhuro n’këtë botë moshën e Fan Nolit e të Ebu Hanifesë (të dy jetuan plot 84 vjet), sepse muza dhe energjia ime premtojnë dhe ca më shumë e më thellë të ardhmen! Por, sido që Ti, i Dashur im, e ke përcaktuar, unë jam dakort me Vullnetin Tënd absolut (fundja, as më ke pyetur kur më solle në këtë botë!), sepse pikërisht Ti ke qenë Dëshmitar kur vitin 2017, fill pas botimit të romanit tim “Arratisja nga vdekja” pata deklaruar: “E, tani, edhe nëse vdes asgjë nuk më ngelet merak në jetë!”
Në fazat e pleqërisë, Fan Noli specializoi e doktoroi, e pikërisht në moshën 82 vjeçare (dy vjet para vdekjes) regjistroi një kurs për të mësuar e përvetësuar edhe gjuhën hebreje (arameje/hebraike/arabe – si gjuhë të familjes semite), edhe pse ai ishte poliglot. Në pyetjen e mikut të tij të ngushtë se ç’iu desh atij në këtë moshë të “thyer” të mësynte edhe zotërimin e hebreishtes, ai përgjigjet buzagazas: “Siç e di, zotëroj shumë gjuhë, por natën e varrit dua t’i përgjigjem Zotit në gjuhën e Abrahamit, Davidit, Mojsiut, Jezuit e Muhamedit – e mandej përjetësisht do të flas me Të me gjuhën e ime më – SHQIP, SHQIPËRISHT…!”
Po kështu veproi dhe dijetari erudit, Imam Ebu Hanifeja: tërë jetën ia kushtoi shkencave filologjike, akaidologjike (apologjetike-teologjike), filozofike e juridiko-sheriatike dhe mendimet e vizioni i tij vërshuan planetin – globin. Etnikisht ai qe persian, por komunikonte në disa gjuhë të huaja…
P.S. Tashmë afro 80% e kam kryer punën rreth dorëshkrimit tim me titullin që shihni në këtë foto. Më ka mbetur ta thelloj studimin dhe essenë në përqindjen e mbetur: për VDEKJEN JO SI FUND – POR SI JETË, SI KALIM NË PËRJETËSI…
Pra, “vdekja” është uratë / bekim, kthim në gjenezë, te Perëndia…/QendraPress/