VDEKJET E DYSHIMTA ME COVID-19, KËRKOHET DORËHEQJA E MINISTRIT ZEMAJ
Vdekjet e dyshimta me COVID-19, kërkohet dorëheqja e ministrit Zemaj
Katër persona kanë vdekur mëngjesin e hershëm të së dielës në Klinikën Infektive, ndërkaq edhe pesë viktima të tjera nga Corona virusi janë shënuar gjatë ditës. Për këtë Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet, pas dyshimeve se ka pasur defekt në furnizim me oksigjen. Madje, me vendim të prokurorit, trupave të pajetë do t’u bëhet obduksioni, njofton Insajderi.
Për këtë rast, anëtarë opozitarë të Komisionit për Shëndetësi po kërkojnë dorëheqjen e ministrit Armend Zemaj. Ndërsa, gjatë ditës bordi i ShSKUK-së e ka shkarkuar të drejtorin e përgjithshëm, Basri Sejdiun.
Ndërkohë, të hënën Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke u hetuar vdekja e gjashtë personave në Klinikën Infektive.
“Raportohet se në Klinikën Infektive në Prishtinë kanë vdekur gjashtë persona që të gjithë kosovarë. Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.
Ministria e Shëndetësisë nuk kishte dhënë detaje rreth rrethanave të vdekjes së këtyre personave. Përmes një reagimi për media, MSH-ja kishte bërë thirrje të priten rezultatet e hetimeve nga institucionet përgjegjëse.
Në anën tjetër, IKShP mbrëmë kishte njoftuar për gjithsej 75 raste të vdekjes, që nënkuptonin nëntë viktima gjatë ditës.
Të hënën, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti bëri të ditur se katër persona kanë vdekur mëngjesin e hershëm, ndërsa pesë të tjerë gjatë së dielës.
Por, anëtari opozitar i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitim Uka, kërkon që prokuroria të kryejë punën e vet në mënyrë të pavarur.
Ai për KosovaPress thotë se ministri Zemaj duhet të jep dorëheqje. Madje, sipas tij një vendim i tillë është nderi më i madh që do të mund t’i bënte vendit./Insajderi.com