Vendimi i Ministrisë së Arsimit: Ky është kriteri i vetëm për pranim në shkollë të mesme
Të gjithë nxënësit që kanë përfunduar klasën e nëntë nga e hëna do të mund t’u drejtohen shkollave të mesme për të aplikuar për regjistrim.
Konkursi për pranimin e nxënësve shkolla të mesme do të qëndrojë i hapur deri të premten, ndërsa rezultatet do të shpallen më 24 gusht.
Pas anulimi të testit të arritshmërisë, regjistrimi në klasën e dhjetë këtë vit do të bëhet vetëm në bazë të notës mesatare që nxënësit ka treguar nga klasa e 6 deri në të nëntën.
Në bazë të një vendimi të Ministrisë së Arsimit, për regjistrimin e nxënësve në klasën e 10-të në gjimnaze dhe shkolla profesionale mund të konkurrojnë kandidatët të cilët e kanë mbaruar arsimin e obligueshëm dhe nuk janë më të vjetër se 17 vjeç.
Për t’u pranuar në shkollën e mesme nxënësi duhet t’i plotësojë disa kritere, si nota mesatare e të gjitha lëndëve nga klasa e 6 deri në të nëntën, që do të vlerësohet me 60 pikë, dhe nota mesatare nga lëndët prioritare, që do të vlerësohet me 40 pikë.
Ndërkaq për gjimnaze dhe shkolla të mesme të mjekësisë kriteri i lëndëve prioritare është që mesatarja e këtyre lëndëve të jetë 4 e më lart.
Kryesuesi i drejtorëve komunalë të Arsimit, Besim Avdimetaj, ka thënë se shkollat i kanë bërë përgatitjet e duhura për regjistrimin e nxënësve dhe presin që çdo gjë të shkojë pa probleme.
Sfidë këtë vit, sipas tij, do të jetë fakti që regjistrimi do të bëhet pa test të arritshmërisë, por vetëm në bazë të suksesit, por shton se udhëzuesi i publikuar nga MASH-i i ka precizuar këto procedura dhe ua ka lehtësuar punën.
Konkursin do ta hapin drejtoritë komunale, kurse MASH do të bëjë monitorimin e procesit të regjistrimit dhe pranimit.
Dokumenti i Ministrisë së Arsimit ka përcaktuar se në shkollat ku nuk plotësohet numri i nxënësve aplikimi mund të vazhdojë deri më 26 gusht dhe rezultatet shpallen më 28 gusht.
Sipas të dhënave të MASH-it, këtë vit janë gjithsej 26.261 nxënës që kanë përfunduar klasën e nëntë.
Përderisa për këtë gjeneratë ditë më parë u anulua testi i arritshmërisë, një gjë e tillë nuk do të ndodhë me testin e maturës të klasave të 12-a, meqë Ministria ka vendosur të mbahet më 29 gusht.