Vendimi që mund të çojë në mbyllje të Klan Kosovës, Hajdari: Kemi evidentuar edhe 48 biznese tjera të regjistruara në ARBK me emërime kundërkushtetuese
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i ka quajtur tendencioze dhe të pavërteta, siç thonë ata pretendimet se MINT ka vepruar me qëllim që të kufizojë lirinë e medias apo me prapavijë politike, në rastin e Klan Kosovës.Në një reagim në orët e mbrëmjes, Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë se në fillim të këtij muaji, MINT ka themeluar Komisionin për riverifikim të dosjeve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), në veçanti të atyre me dokumentacione të dyshimta me emërtime antikushtetuese.Sipas njoftimit, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK ka pasur emërtime kundërkushtetuese, ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj. “ARBK do të vazhdojë me zbatimin e ligjit edhe në këto 48 raste tjera, në të njëjtën mënyrë të trajtimit sikurse për Klan Kosova sh.p.k. dhe ARTMOTION sh.p.k.”, thuhet ndër të tjera në postimin e Ministres Hajdari.
Postimi i plotë:
Ligjshmëria në regjistrimin e biznesit në Republikën e Kosovës
Pas riverifikimit dhe pezullimit të çertifikatave të biznesit për Klan Kosova SH.P.K. dhe ARTMOTION SH.P.K., Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë( MINT) nuk është ndalur vetëm me këto dy raste.
Me 6 korrik 2023, MINT ka themeluar Komisionion për riverifikim të dosjeve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), në veçanti të atyre me dokumentacione të dyshimta me emërtime antikushtetuese.
Përgjatë 10 ditëve gjatë këtij muaji korrik – 10.07.2023 deri më datë 19.07.2023, Komisioni ka riverifikuar 660 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK. Fokus i riverifikimit kanë qënë dosjet që kryesisht kanë prezantuar dokumentin personal me rubrikën vendi/shteti i lindjes, apo vendbanimi aktual me emërtime kundërkushtetuese.
Si rezultat i riverifikimit të dosjeve, Komisioni ka konstatuar që, në 48 dosje të bizneseve të regjistruara në ARBK kemi emërtime kundërkushtetuese, ku në rubrikën vendi/shteti i lindjes apo vendbanimi aktual është shkruar: “Prishtinë – Kosovo Metohija, Serbia”, “Pejë – Republika e Serbisë”, “Gjilan – Serbia” “Gjakovë – Republika e Serbisë” etj.
ARBK do të vazhdojë me zbatimin e ligjit edhe në këto 48 raste tjera, në të njëjtën mënyrë të trajtimit sikurse për Klan Kosova sh.p.k. dhe ARTMOTION sh.p.k.
Pretendimet se MINT ka vepruar me qëllim që të kufizojë lirinë e medias apo me prapavijë politike, janë tendencioze dhe plotësisht të pavërteta.
Si përherë, MINT është i përkushtuar ndaj zbatimit dhe respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, pa kompromis, pa përjashtim dhe pa diskriminim. Kujtojmë se, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka informuar se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve ka marrë të premten vendim për refuzimin e ankesës së Shoqërisë Tregtare “Klan Kosova sh.p.k.”.