Veprimtaria ilegale e OJQ’së në aneksin e stacionit të policisë, reagon Sveçla: Rrezik për sigurinë e vendit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se bastistja e objektit të vendosur në një aneks të Stacionit Policor në Prishtinë ka qenë i një organizate joqeveritare. Por, ministri deklaron se pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e veprimtarisë së OJQ-së.
Ai ka thënë se mëngjesin e sotëm janë informuar për aktivitet të dyshimtë të OJQ-së “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”, dhe vlerëson se veprimtaria e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit.
“Në mëngjesin e sotëm kemi pranuar informatën mbi aktivitetin e dyshimtë të një Organizate Joqeveritare, e vendosur në një aneks të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë. Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve. Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je”, ka shkruar Sveçla.
Për këto informata, ai tha se janë njoftuar institucionet e sigurisë.
“Kësisoj, kemi njoftuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit. Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit”, është shprehur ai.
Ministri deklaron se “Republika e Kosovës është shtet unitar me të drejta e shërbime për gjithë qytetarët pa dallim. Ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës kanë dalë me një komunikatë të përbashkët për aktivitetin që u zhvillua aty. Në komunikatë thuhet se ka dyshime qe në të janë ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetime Rajonale në Prishtinë, është duke u realizuar bastisje në një objekt në qendër të Prishtinës, ku dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt”, thuhet në njoftim.
Prapa kamerës një qytetar i komunitetit serb, i ka thënë RTK-së se aty marrin shërbime mjekësore qytetarë të moshuar serb, por është e hapur për të ofruar shërbime pa dallim etnie.
Ndryshe, jo zyrtarisht RTK ka mësuar se gjatë ditës Policia e Kosovës para këtij objekti ka ndaluar dhe konfiskuar një autoambulancë.
Gazeta Express mëson se ky aktivitet ilegal u raportua në polici nga ministri i MPB-së Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi, ministër i Administrimin të Pushtetit Lokal. Ani pse veprimtaria u zhvillua në aneksin e objektit të Policisë së Kosovës, duket se pjesëtarët e PK-së nuk e kanë vënë re ushtrimin e veprimtarisë ilegale aty.