Veriu i barrikaduar nga maskat – Kosova sytë kah KFOR’i, paqeruajtësit ende pa ndonjë veprim 
Autor: Egzona Krasniqi
6 dhjetori shënoi fillimin e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, tensione këto që kulmuan të shtunën e 10 dhjetorit, kur serbët lokalë të prirë nga banditë me maska ngritën barrikada në rrugë, në Rudar e Bernjak, si kundërpërgjigje ndaj arrestimit të një ish-polici serb nga ana e autoriteteve të sigurisë së Kosovës.
Barrikadave i parapriu një javë mjaft e tensionuar ku pati shpërthime bombash e shkëmbim zjarresh mes bandave kriminale serbe e policëve të Kosovës si dhe shpërthime të tjera e sulme edhe ndaj gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.
“Kryengritja e re” e disa serbëve lokalë erdhi pikërisht në ditën kur u dha lajmi se zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat serbe në veri do të shtyhen për 23 prill, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ky vendim erdhi pas takimit të presidentes Osmani me krerët e partive politike në vend mesditën e së shtunës.
Ndërkohë që në Prishtinë ky vendim tashmë ishte marrë me konsensus të plotë mes partive politike në vend, në veri të vendit sirenat e alarmit ishin lëshuar të shtunën dhe bllokimi i rrugëve kishte nisur.
Rrugët që çojnë në pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bernjak, tash e pesë ditë vazhdojnë të jenë të bllokuara, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Disa serbë lokalë, të prirë nga një grup banditësh të maskuar, i ngritën ato si shenjë proteste për arrestimin e ish-policit serb Dejan Pantiq.
Pas kësaj, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pohoi se po pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri. Derisa vartësi i tij, Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se edhe Policia e Kosovës i ka kapacitetet e duhura të veprojë në këtë drejtim.
“KFOR-i po kërkon pak kohë që shpejt ta kryejë këtë punë dhe ne po presim”, u shpreh Kurti të dielën, në një konferencë për media.
Gati 48 orë pas kësaj, nga KFOR’i nuk është parë ende ndonjë reagim për heqjen e barrikadave të ngritura nga maskat e veriut. Përveç, një “reagimi” me dy helikopterë për dërgimin e ushqimit në bazën e tyre në veri, që u pa sot.
Gazeta Online Reporteri.net gjatë gjithë të martës ka provuar të marrë përgjigje nga kjo forcë ushtarake-paqeruajtëse nëse dhe kur planifikohet të ndërhyjë. Por, pa sukses.
Për dallim nga terreni, për krizën dhe barrikadat në veri, të paktën deri më sot, KFOR’i ka reaguar vetëm përmes Twitteri e Facebook’u.
SHBA dhe Britania njëzëri për veriun: Të largohen menjëherë barrikadat
“Ne e kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”.
“Ata që ngritën barrikada të paligjshme duhet t’i heqin ato menjëherë. Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për Misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) në përpjekjet e tij për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes, si dhe dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare.
U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen maksimalisht, që të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese”, u tha në reagimet e tyre.
Çka tha BE-ja!
Bashkimi Evropian nëpërmjet Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell kërkoi që tensionet të ulen.
“Shqetësuese është Kosova. Ne menduam se gjërat u qetësuan pas marrëveshjes për targat. Por sërish serbët e Kosovës, pas arrestimit të një ish-polici serb u përgjigjën me shumë probleme nëpër rrugë, duke i bllokuar ato, madje duke hedhur shok-granata ndaj disa prej zyrtarëve tanë policor. Kjo është e papranueshme. E di që të dy palët duan ta deeskalojnë situatën. Fuqishëm i thërras ato që ta bëjnë një gjë të tillë”, tha Borrell, nga Brukseli gjatë nisjes së punimeve të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Unionit.
Shefi i diplomacisë së BE-së theksoi se shtetet e anëtare të Bashkimit Evropian janë të gatshme të dërgojnë më shumë njësite dhe mbështetje për Misionin EULEX në Kosovë.
“Unë i kam pyetur anëtarët e shteteve që të jenë të gatshme që të dërgojnë më shumë forca në Misionin e EULEX-it, shumë prej tyre janë pajtuar dhe janë gati që të dërgojnë më shumë kapacitete dhe më shumë mbështetje e njerëz nëse është e nevojshme”, tha kryediplomati i BE-së.
Thirrja e Shefit të NATO-s për ule të tensioneve
Ai i pyetur për deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se do t’i drejtohen Komandantit të KFOR-it për kthimin e 1 mijë trupave serbe në Kosovë, duke u thirrur në Rezolutën 12/44, ka thënë se palët duhet të përmbahen nga deklaratat që kontribuojnë në përshkallëzimin e konfliktit dhe të kontribuojnë në uljen e tensioneve, shkruan Reporteri.net.
“NATO është shumë e fokusuar në çështjen e Kosovës, si dhe në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar për t’i dhënë fund dy luftërave etnike, fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe më vonë në Kosovë. Forcat tona janë ende të pranishme atje përmes Forcat e NATO-s, gjegjësisht KFOR-i i cili ka gati 4000 anëtarë dhe është faktor kyç në stabilizimin e rajonit dhe situatës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Forcat tona janë të gatshme, të afta dhe ‘vigjilente’. Ata po monitorojnë situatën me shumë kujdes. Forcat e NATO-s dhe BE-së bashkëpunojnë ngushtë. Këshilla ime për të gjitha palët është që të përmbahen nga retorika që kontribuon në përshkallëzimin e konfliktit dhe të ndihmojnë në uljen e tensionet”, tha Stoltenberg në France 24.
Kurti në pritje të KFOR-it për largimin e barrikadave
Kurti pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të dielën, tha se po pret që KFOR-i të largojë barrikadat në rrugët e bllokuara në veri.
“KFOR po kërkon pak kohë që shpejt ta kryej këtë punë dhe ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR’in është zbutje, le të quhet zbutje. Por për të mirën e përgjithshme, besoj që megjithatë jemi duke e zgjedhur rrugën më të mirë të mundshme”, deklaroi Kurti në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.
Në të njëjtën konferencë për media me Kurtin, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se Policia po koordinohet me KFOR-in dhe EULEX-in dhe se “shumë shpejtë do të mbërrijmë në situatën ku nuk do të ketë barrikada në këto dy rrugë nacionale”.
Por, pritja e Kurtit u zgjat dhe barrikadat vazhdojnë ta bllokojnë veriun edhe sot, duke bërë që madje edhe shkollat në atë pjesë të mbyllen për dy ditë me radhë.
Po ashtu thuhet se është e rëndësishme që të shmanget çdo përshkallëzim.
Tutje, shtohet se KFOR-i mbetet vigjilent dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së.
“E vetmja rrugë drejt paqes është që Beogradi dhe Prishtina t’i zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri. KFOR-i mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së”, thuhet në reagimin e KFOR-it.
Derisa KFOR të ndërhyjë për të larguar barrikadat, autoritetet serbe kanë vazhduar me gjuhën e militarizuar referuar ngjarjeve në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi se më 15 dhjetor do t’i drejtohen Komandantit të KFOR-it për kthimin e 1 mijë trupave serbe në Kosovë, duke u thirrur në Rezolutën 12/44.
Vuçiq disa herë gjatë ditëve të fundit referuar ngjarjeve në Veri ka thënë se “nuk do të ketë dorëzim”.
Deri më sot, KFOR-i nuk i është përgjigjur për të komentuar as këtë paralajmërim. /Reporteri.net