VESELI TAKON ODAT EKONOMIKE: QEVERIA URGJENTISHT T’U DALË NË NDIHMË NDËRMARRËSVE DHE TË MOS E BLLOKOJË EKONOMINË E VENDIT
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka takuar sot drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, dhe të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, me të cilët ka diskutuar për krizën e thellë ekonomike të shkaktuar nga pandemia dhe ka mbështetur iniciativën e odave për përfshirjen e kërkesave të tyre në Projektligj.
Partia Demokratike e Kosovës e konisderon shqetësuese sjelljen e qeverisë aktuale karshi krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia dhe neglizhencën e saj për të kaluar Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike javën që shkoi.
“Kanë kaluar gjashtë muaj nga Prilli, kur PDK-ja ka propozuar pakon ekonomike që i përmbushte nevojat e qytetarëve dhe bizneseve, por ishte bllokuar atë kohë nga Lëvizja Vetëvendosje që udhëhiqte me qeverinë”, thuhet në njoftimin e PDK-së.
Sipas PDK-së, avazin e vjetër të bllokadës dhe paaftësisë, po e vazhdon edhe qeveria e udhëhequr nga LDK-ja, cila ka propozuar në Kuvendin e Kosovës një pseudo-pako ekonomike, që jo vetëm nuk i përmbushë nevojat elementare të ekonomisë tonë, por fillimisht ka mashtruar qytetarët për tërheqjen e 10% të trusit, duke premtuar rimbursim ndërsa më vonë as që e përmendi.
“Nga të dhënat zyrtare të mjeteve që qytetarët posedojnë në Fondin e Trustit Pensional, rezulton se një përqindje e madhe do të mund t’i tërheqin vetëm një shumë të vogël të mjeteve. Ky është mashtrim ndaj qytetarëve dhe nevojave të tyre të përditshme”, thuhet në njoftim.
Sipas PDK-së, sjellja e kësaj qeverisje është e mentalitetit bllokues dhe në mungesë të numrave të saj në Kuvendin e Kosovës për ta kaluar pakon, e ka hedhur fajin tek opozita.
“Partia Demokratike e Kosovës, karshi përgjegjësisë së saj ndaj qytetarëve dhe bizneseve të vendit, e fton qeverinë e Kosovës që ta plotësoj Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike Covid-19; t’i merr parasysh kërkesat e odave ekonomike dhe propozimet e PDK-së, në mënyrë që kjo të votohet brenda një dite në Kuvendin e Kosovës”, ka vazhduar njoftimi. .
Në komunikatë thuhet se si parti e qendrës së djathtë, PDK vlerëson se në këtë gjendje pandemie, institucionet e shtetit mund të ofrojnë lehtësira fiskale dhe të eliminoj procedurat burokratike; të përkrah drejtpërdrejt ndërmarrësit e Kosovës; si dhe të shoh praktikat më të mira evropiane të tërheqjes së mjeteve të tyre nga qytetarët prej Trustit Pensional dhe mbështesë të gjitha kategoritë sociale pa dallim.
PDK-ja ka propozuar në Kuvendin e Kosovës pakon emergjente dhe ka bërë propozime për t’i tejkaluar pasojat e rënda ekonomike.