Veteranët nuk i binden thirrjes së Thaçit për të mos protestuar
Hashim Thaçi, në përmbyllje të fjalimit të tij njoftues për konfirmimin e aktakuzës në Hagë dhe për dorëheqjen nga posti i Presidencës, kishte një kërkesë për bashkëluftëtarët e tij dhe qytetarët e vendit.
Ish-eprori i UCK’së, bëri thirrje që përkundër zhvillimeve, të ruhet qetësia dhe të shmanget çfarëdo lloj manifestimi publik, mbështetës apo protestues, shkruan Reporteri.net.
“Të dashur qytetarë iu falënderojë për solidaritetin dhe mbështetjen në këtë periudhë kohore, por ju ftoj që ta ruani qetësinë dhe të shmangni çdo lloj manifestimi publik, mbështetës apo protestues”, tha ish-Presidenti, deri njoftoi për dorëheqjen nga posti i shefit të shtetit, pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.
Shtoi se “Drejtësia nuk bëhet në rrugë, por me ballafaqim të argumenteve”.
“Iu falënderoj për besimin sepse kjo nuk është lamtumirë, por vetë mirupafshim. Do të shihemi prapë e do të dalim faqebardhë, ky është premtimi im për ju. Zoti e bekoftë Kosovën”, përfundoi Thaçi, adresimin e tij të fundit si president para qytetarëve të vendit.
Por, vetëm disa orë pas, U.D., i kreut të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, në një konferencë të thirrur për media ka njoftuar se këshilli drejtues i kësaj organizate ka vendosur për organizimin e një proteste.
Për datën se kur do të mbahet protesta pritet të vendoset ditëve në vijim, ndërsa thirrja për protestë, sipas tyre, vije pas zhvillimeve në vend.
Tha se protesta do të jetë paqësore duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së.
Ndryshe, Thaçi, bashkë me Kadri Veselin e Rexhep Selimin janë rrugës për në Hagë, pasi të treve Gjykata Speciale u ka konfirmuar aktakuzën për krime lufte, e ngritur para më shumë se gjashtë muajve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën.
Një ditë para vetëdorëzimit të tyre, në shtëpinë e tij, është arrestuar edhe ish-zëdhënësi i UÇK’së Jakup Krasniqi, i cili u transferua dje në paraburgim në Hagë