Veterani i UÇK-së nga Mitrovica e hedh në shitje shtëpinë me 1 hektar tokë për Hashim Thaçin: E shoh në ëndërr, dua të lirohet
Shkuarja e ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, për dikë duket se nuk po mund të kalohet lehtë. Një banor i fshatit Bare të Shalës së Bajgorës, e ka hedhur në shitje shtëpinë me 1 hektar tokë për ta ndihmuar mbrojten e ish-kryetarit të PDK-së. Zenel Ferati që i takon PDK-së dhe punon si shërbyes civil në Komunën e Mitrovicës, ka deklaruar se paratë nga shitja e tokës dhe shtëpisë do t’i dhurojë në Fondacionin për ndihmë të Thaçit.Çmimi që i ka vendosur tokës dhe shtëpisë është 100 mijë euro dhe, siç thotë ai, të gjitha do të dedikohen për lirimin e Thaçit.“Unë jam veteran i UCK-së. Hashim Thaçi ka bërë shumë për Kosovën, e unë mos me shit një shpi për to. A po boj hajgare unë a? Vetëm le të del prej Hagës, sepse ai i nevojitet Kosovës”, ka thënë Ferati për Reporterin. E Zeneli i thur edhe lavde Thaçit, duke thënë madje që e sheh edhe në ëndërr dhe që ka dëshirë ta takojë në Hagë.“Nuk e njoh personalisht, por e njoh si lider të kombit shqiptar. Bile edhe në ëndërr e shoh”, ka thënë ai.Për shtëpinë e tokën, Zeneli thotë se ka të interesuar dhe ka disa telefonata serioze. I pyetur nëse posedon tjetër shtëpi, ai ka treguar se ka edhe një tjetër në fshatin Dobërllukë të Vushtrrisë dhe një banesë në Mitrovicë.“Çmimi i tokës dhe shtëpisë është 100 mijë euro. Janë shprehur disa persona të interesuar. E kam edhe një shtëpi në Dobërlluke dhe një banesë në Mitrovicë”, ka thënë ai. Sidoqoftë, që nga shkuarja e ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, është hapur fondacioni për mbledhjen e parave që do të shkojnë për ta paguar ndihmën juridike./