Vezire Demiri rrëfen për torturat nga UBB-ashët: Dy javë s’kam ngrënë asgjë, kisha ënjtje të fytyrës e dhëmbëve
Ish e burgosura politike, Vezire Demiri, ka rrëfyer për momentin e arrestimit të saj më 4 nëntor të vitit 1985.
Demiri tregon se nën akuzat për veprimtari ilegale si shpërndarje të pamfleteve e revistave të ndryshme u arrestua dhe u dërgua fillimisht në Pejë e pastaj në Burgun e Mitrovicës. Ajo rrëfen se ishte së bashku me nënën kur iu vendosën prangat.
“Unë isha te dajtë me nënën. Në mëngjes herët erdhën. Një Bali Maloku, e takuam rrugës, shkonte në punë, ishte mësues i gjuhës shqipe. Më tha ‘oborri juaj u mush me milicë, mos shko!’. Babai ishte në punë, vëllezërit ishin të vegjël. I gjithë fshati ishte i rrethuar me milicë. Kur kemi shkuar tek dyert na i kanë drejtuar tytat në kokë mu e nënës. Më kanë thënë veshu trash se nuk dihet kur kthehesh”, ka rrëfyer Demirinë emisionin “Debat Plus” të RTV Dukagjini.
“Unë nuk kisha frikë, s’disha çka më pret. Më dërguan në Pejë. Nuk e di a ishte kati i dytë a i tretë. Ishte një person, Ali Lajçi e thirrshin, që ka ushtruar lloj lloj torture. E kam lidhë me emër të Ali Lajçit që ishte në demonstrata të 1981-shit. Atë [inspektorin] e thirrshin Ali Lajçi… Unë e bëjsha lidhjen, por e dijsha që Ali Lajçi nuk është ky”, ka vijuar rrëfimin Demiri.
Demiri ka potencuar se nga ajo gjatë intervistimit kërkohej të tregonte emrat e atyre me të cilët pati kontakte.
“Mi gjetën disa fotografi të Enver Hoxhës, disa gazeta ‘Zëri i Popullit’. ‘Ku i ke marr, kush t’i ka dhënë’?”.
Demiri ka thënë se ju thoshte se ato ia kishte dhënë një njeri i panjohur.
“Nuk kam qit kurrfarë emri, por torturat ishin të tmerrshme… Me ato shufrat si me kanë të hekurit, jo plastike”.
Serbi, i cili ishte zyrtar UDB-së, sipas Demirit, ka sjell vetëm fytyrës.
“Ai serbi….veç fytyrës. Unë dy javë nuk isha në gjendje me hangër kurrgjë prej dhëmbve… Dhëmbët mu ajen, fytyra…”.
Ajo ka thënë se për një natë sa qëndroi në Pejë i ka përjetuar ato tortura dhe se në dhomat e tjera ajo ka thënë se dëgjonte edhe zëra të tjerë të të rinjve që po torturoheshin.
Demiri rrëfen momentin se si njëri nga UDB-ashët që po e torturonte e pyeti se ‘a dëshiron të bëhesh nënë?’.
“Torturat kanë qenë në duar (në shuplaka të duarve), këmbëve, trupit. Më së pari më kanë thënë ‘a don me u ba nanë?’. Unë i thashë, si krejt vajzat tjera, shpresojmë. Unë ju ktheva, ti nuk je shqiptar, ty nuk të ka bë nënë shqiptare. Ty të ka lind nënë serbe. Të kishte lindë një nënë shqiptare nuk do të ushtroje dhunë mbi motrat e tua. Atëherë ai u egërsua edhe më shumë”. /Dukagjini/