VIZITA E KRYEMINISTRIT BELG NË PEKIN, ZGJEDHJET NË TAJVAN DHE “LEKSIONI” I TYRE PËR DIPLOMACITË
Nga gazetari Artur Nura
Në pasditen e së premtes që shkoi, presidenti kinez Xi Jinping u takua me kryeministrin belg Alexander De Croo, që ndodhej në Pekin për një vizitë zyrtare me ftesë të homologut kinez Li Qiang. Kur vizitorët e rëndësishëm realizojnë takim edhe me presidentin Jinping përgjithësisht zhvillime të tilla demostrojnë që dialogu midis palëve është drejt një progresi pozitiv dhe domethënës.
Në rastin e marrëdhënieve Kinë – Belgjikë të cilat janë tashmë në 53 vjetorin e tyre dhe ku nuk kanë munguar uljet dhe ngritjet, mund të thuhet se ato konsiderohen nga të dy palët si të frutshme dhe me rendiment ekonomik të komplimentueshëm.
Por vizita e Alexander De Croo në Pekin nuk përkon vetëm me këtë përvjetor marrëdhëniesh dy palëshe, por edhe me faktin që Belgjika ka marrë më 1 janar 2024 presidencën e radhës të Bashkimit Evropian detyrë që do ta mbajë për gjashtë muaj, deri në qershor.
Në fakt ky do të jetë mandati i 13-të për Belgjikën dhe pritet që presidenca belge të punojë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të BE-së, por në këtë situatë të trazuar globale me konflikte, mandatit të kryeministrit Belg I duhet të impenjohet për një dialog më eficent global me aktorë të rëndësishëm të cilët mund të influencojnë pozitivisht kundër zhvillimeve të paqëndrueshme.
Ekonomia në marrëdhëniet Kinë – Belgjikë
“Pala kineze mirëpret kompanitë belge të investojnë në Kinë dhe është e gatshme t’u ofrojë atyre një mjedis të mirë biznesi, dhe shpreson gjithashtu që edhe pala belge të krijojë një mjedis biznesi të drejtë, transparent dhe jodiskriminues për kompanitë kineze.” – ka deklaruar presidenti Xi duke theksuar më tej që Kina dhe Belgjika duhet të kombinojnë epërsitë e tyre përkatëse për të zgjeruar bashkëpunimin në fushat tradicionale, si transporti, logjistika e biofarmaceutika, dhe të eksplorojnë pika të reja për rritjen e bashkëpunimit, si zhvillimi i gjelbër dhe ekonomia digjitale.
Kryeministri belg Alexander De Croo u shpreh nga ana e tij se marrëdhëniet Belgjikë-Kinë kanë një histori të gjatë dhe janë në pararojë të marrëdhënieve europiano-kineze në shumë aspekte.
– “Pala belge do të vazhdojë t’i përmbahet politikës së “një Kine” dhe është e gatshme të zhvillojë dialog të sinqertë me palën kineze, të thellojë mirëkuptimin e ndërsjellë dhe të nxisë zhvillimin e pandërprerë të marrëdhënieve dypalëshe në fushat politike, ekonomike etj.” – tha De Croo duke shtuar se pala belge kundërshton “shkëputjen dhe ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit”, mirëpret kompanitë kineze të zhvillojnë bashkëpunim në Belgjikë dhe shpreson të forcojë shkëmbimet njerëzore dhe kulturore me palën kineze.
Aspektet gjeopolitike në vizitën e Alexander De Croo në Kinë.
Në profilin e tij në X kryeministri belg Alexander De Croo publikoi fotot të përurimit të ambasadës Belge në Pekin duke shkruar: “Fillimi i epokës së re të angazhimit belgo-kinez bazuar në lidhjet e forta mes njerëzve, partneriteteve diplomatike dhe prosperitetit të ndërsjellë.”
Me tej kryeministri Belg në këtë postim shkruan: “Kjo është një mundësi në kohë që të dy palët të angazhohen, në një mjedis të tensionuar gjeopolitik dhe ekonomik.” – Në fakt, sipas burimeve zyrtare të Pekinit në takimin dy palësh, presidenti Jinping ka bërë me dije që Kina dhe Belgjika janë dy vende përfituese prej globalizimit ekonomik dhe kanë interesa të përbashkët për t’i bërë ballë proteksionizmit dhe për të mbrojtur tregtinë e lirë.
Pra pala Kineze ndjek një politikë të qëndrueshme dhe afatgjatë ndaj Bashkimit Europian dhe gjithmonë e konsideron atë si partnere bashkëpunimi, duke shpresuar që edhe BE-ja, si një forcë e rëndësishme në botën shumëpolare, të luajë një rol pozitiv dhe konstruktiv.
“Të dyja palët duhet të bashkëpunojnë më ngushtë për të promovuar një multipolarizim të barabartë botëror dhe një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës, duke promovuar së bashku paqen, qëndrueshmërinë dhe lulëzimin botëror. Kina është e gatshme të punojë me BE-në për të promovuar përparimin e qëndrueshëm në marrëdhëniet dypalëshe në vitin e ri dhe shpreson se Belgjika, si vendi kryetar i radhës i BE-së, do të luajë një rol pozitiv në këtë drejtim,” – citohet Xi Jinping-u nga burimet zyrtare të Pekinit.
“Si vendi kryetar i radhës i BE-së, Belgjika është e gatshme të luajë një rol pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve BE-Kinë. Shpresoj që vizita ime në Kinë do të ndihmojë në ngritjen e marrëdhënieve Belgjikë-Kinë dhe atyre BE-Kinë në një nivel të ri,” u shpreh kryeministri belg Alexander De Croo.
Çështja e Tajvanit midis Kinës dhe BE
Udhëtimi i kryeministrit Belg u realizua në një moment të veçantë gjeopolitik, pikërisht një ditë përpara zgjedhjeve të liderit të ndjekura nga afër në Tajvan dhe duket se Pekini pret nga Europa jo të njëjtin qëndrim me ShBA-në dhe Britaninë e Madhe.
Gjatë takimit me homologun kinez, kryeministri i vendit kryetar të radhës të BE-së, pra kryeministri Belg De Croo, ritheksoi angazhimin e Bllokut për parimin e “një Kine”.
Në fakt, pas zgjedhjeve në Tajvan, në deklaratën e Bashkimi Evropian ndihet një gjuhë diplomatike e kujdesur ndërsa përgëzon për pjesëmarrjen e popullsisë në zgjedhje, pa përmendur fituesin në zgjedhje të liderit, ku nënvizohet gjithashtu se “paqja dhe stabiliteti në ngushticën e Tajvanit janë elementë kyç për sigurinë dhe zhvillimin në nivel global. BE-ja mbetet e shqetësuar për tensionet në rritje në zonë dhe kundërshton çdo përpjekje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në”.
Ndërkohë, një ditë pas zgjedhjeve Pekini protestoi ashpër, ndaj krerëve të diplomacisë së ShBA-së dhe Britanisë të cilët i dërguan urime kandidatëve të Partisë Demokratike Progresiste (PDP-së), duke u kujtuar atyre lidhjet e pazgjidhshme midis Taipeit dhe Republikës Popullore.
Sigurisht këto zhvillime kompleksuan marrëdhëniet midis dy fuqive të botës, ShBA-së dhe Kinës e padyshim një gjë e tillë shqetëson gjithëkënd sepse këto dy infuencojnë mbarë ekuilibrin botëror.
Por, reagimi i Kinës pa veprim muskulor ushtarak shikohet nga shumë analistë si dëshmi se, pavarësisht fitores të mandatit të tretë, Partia Demokratike Progresive (PDP) ka humbur shumicën e saj të përgjithshme në parlament dhe Pekini mund të ndihet kështu i qetësuar./CRI.CN