Vlora zgjohet nën ujë, disa lagje ende të përmbytura
Pas reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve të djeshme, qyteti i Vlorës është zgjuar mëngjesin e sotëm nën ujë.
Në pamjet e siguruara nga A2 CNN shihen lagje të tëra të mbuluara nga uji, Xhamia, bulevardi dhe Lagjja Kushtrimi.
Një ditë më parë situata në këtë qytet ishte alarmante për shkak të reshjeve të dendura të shiut, daljes jashtë kontrollit të kanalit të ujërave të larta dhe përmbytjeve në shumë lagje. Për këtë arsye u evakuuan mbi 30 familje, të cilat u strehuan në konviktin e mjekësisë, ndërsa banorët mbetën pa ujë dhe pa drita.
Sipas autoriteteve, sasia e reshjeve brenda dy orësh ishte aq e madhe sa prurjet e shirave gjatë vjeshtë-dimër në Vlorë.
Në orët e vona të mbrëmjes u mblodh shtabi i emergjencave civile, ku mori pjesë edhe kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha. Në të u diskutua evidentimi i zonave të cilat kanë prezencë uji dhe kanë nevojë për ndërhyrje, menaxhimi i trafikut në qytet, furnizimi i pandërprerë me energji elektrike të hidrovoreve dhe stacioneve të pompimit dhe koordinimi dhe menaxhimi ndërmjet strukturave të bashkisë dhe policisë për familjet e evakuuara.
Gjithashtu nisi puna në terren për pastrimin e kanaleve, të cilat janë mbushur për shkak të prurjeve të përrenjve.
Për të normalizuar situatën në ndihmë të tyre shkoi edhe ushtria. Vetëm në orët e vona të mbrëmjes Ministria e Mbrojtjes sqaroi se situata në Vlorë ishte drejt përmirësimit. /A2CNN/