Vrasja e mësimdhënëses në Prishtinë, nxënësit dhe kolegët ndezin qirinj në shkollë

E ndjera arsimtarja e gjeografisë, S.G, e cila sot në shtëpinë e saj është gjetur e vrarë me sëpatë, kishte planifikuar që këtë fundjavë së bashku me kolegët e saj të shkollës “Dardania”, ku ajo punonte prej rreth 30 vitesh, të shkonin për vizitë në Shqipëri.

Por, ajo u provua nga jeta mëngjesin e sotëm, dhe kryesi i kësaj vepre po dyshohet se është bashkëshorti i saj I.G, 70 vjeçar.

Drejtori i shkollës fillore “Dardania”, Isak Bregaj, thotë se lajmin për vrasjen e koleges së saj e kanë marrë përmes mediave dhe e kanë konfirmuar pastaj nga Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Begaj tha se arsimtarja tani më e ndjerë sot nuk ishte e pranishme në dy orët e para gjë që nuk kishte ndodhur më herët.

“Zakonisht arsimtarja në fjalë ka qenë një punëtore e zellshme në këtë shkollë. Lajmin për të e kam marrë në orën 10:00 sot në mëngjes, në orët e para ka pas mësim, u vonua që nuk ka ndodh asnjëherë me u vonuar e mos me më njoftuar që nuk mund të vijë në shkollë”.

“Përmes mediave kemi marrë vesh se ka vdekur një punëtore mësimdhënëse, kemi kontaktua SHSKUK-në dhe kemi marrë informacione se ka vdekur arsimtarja në fjalë…Si sot nuk kemi pas gjendje të tillë të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit kanë qenë në gjendje të rëndë”, tha ai.

Drejtori i shkollës “Dardania”, thotë se arsimtarja S.G asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë ankesë.

“Nuk është ankuar asnjëherë. Kemi pasur komunikim edhe me mësimdhënësit ku zakonisht e ka një shoqëri më të ngushtë. Kemi biseduar me ta, por asnjëherë nuk është ankuar se ka pasur presion prej këtij apo atij”, tha ai.

Bregaj arsimtaren e gjeografisë e përshkroi si shumë punëtore, të qetë dhe aspak agresive.

“Ka qenë shumë e mirë, një punëtore e zellshme, mund t’i shihni edhe punimet me nxënësit, ka qenë shumë e afërt me nxënës, pothuajse qe 30 vite punon në këtë shkollë, ka qenë bashkëpunëtore shumë e mirë edhe nëpër orë ka qenë e mrekullueshme, e mirë me kolegë dhe të gjithë. Ka qenë shumë e qetë për nga natyra, nuk ka qenë asnjëherë agresive, por gjithmonë e qetë dhe shumë stabile”, theksoi ai.

Bregaj madje tha se dje e kishte takuar 63-vjeçaren, por nuk kishin vërejtur ndonjë ndryshim apo dyshim tek ajo.“Dje ka qenë në zyrën time, jemi konsultuar për notimin e nxënësve që ka qenë nga tri në dy periudha, jemi konsultuar edhe me koordinatoren e cilësisë, asgjë nuk kemi vërejtur, përkundrazi kemi pas me shkuar të dielën në vizitë në Shqipëri, edhe ajo ka qenë pjesë e kësaj vizite”, theksoi Bregaj.E në përkujtim të arsimtares së gjeografisë, S.G, nxënësit dhe kolegët e të ndjerës kanë ndezur qirinj në ambientet e shkollës “Dardania”, në Prishtinë.63-vjeçare u gjet e vrarë në shtëpinë e saj në rrugën “Mark Isaku”, në kryeqytet. Vrasjen e saj dyshohet se e kreu me sëpatë bashkëshorti i saj, I.G, i cili është vetëdorëzuar në Polici dhe tashmë është i arrestuar. /kp/