Vrasja e trefishtë, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nis patrullimin në Gllogjan

0

                       Një numër i madh i pjesëtarëve të Njësisë Speciale me armë të gjata sapo kanë arritur në fshatin Gllogjan të Deçanit, ku gjatë natës së mbrëmshme tre persona mbetën të vrarë si pasojë e të shtënave me armë në drejtim të një autobusi që po transportonte nxënës.Kallxo.com ka publikuar disa fotografi të numrit të madh të pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Kosovës që po patrullojnë në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja.Ndryshe, drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti  në një adresim për media pak minuta më parë, ka dhënë detaje rreth pistës së hetimeve për vrasjen e trefishtë që ndodhi mbrëmë në Gllogjan. Mehmeti tha se hetuesit policorë janë duke e ekzaminuar ende terrenin dhe se të gjitha hetimet kanë çuar në dy-tri pista të mundshme. Ai ka thënë se aktualisht janë duke analizuar një numër të madh të informacioneve në lidhje me ngjarjen dhe se është ende herët të përcaktohet një motiv i mundshëm.Drejtori i Policisë, nuk ka përjashtuar që në ngjarje të jenë të përfshirë më shumë se një person. Ai përjashtoi mundësinë se sulmi mund të jetë akt terrorist.“Njësitë policore janë duke e pastruar terrenin aktualisht. Aktualisht jemi duke u përballë me informacione të shumta rreth ngjarjes, dhe kemi sjellë ekspertë që do të ekzaminojnë ato. Aktualisht mund të flasim për një sistem të tri pistave të mundshme të hetimit dhe të gjitha informacionet që jemi duke i mbledhë çojnë në këto pista. Ne aktualisht jemi duke biseduar për një person me mundësi të përfshirjes edhe të personave të tjerë. Për shkak të sensivitetit të rastit, ne jemi duke e përpunuar çdo informacion me shumë kujdes, është herët që ta përcaktojmë motivin. Po flas për prova preliminare që çojnë te më shumë se një të dyshuar. Deri në këtë moment nuk e kemi asnjë provë që çon te akti terrorist, apo akti që ndërlidhet me çështje religjioze”, u shpreh ai para mediave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *