Vrasja me thikë në Prizren, eksperti thotë se i akuzuari nuk vuan nga ndonjë çrregullim mendor
Nuk kemi vërejtur ndonjë çrregullim të shëndetit mendor-kronik te i akuzuari Haxhi Selmanaj. Ky është konstatimi i ekspertit të psikiatrisë, Jeton Zogaj nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës në seancën e së enjtes ndaj Selmanajt që po akuzohet se më 2020 në lagjen Tusuz të Prizrenit e kishte therur për vdekje me thikë të ndjerin E.K.“Ne si ekip vlerësues nuk e kemi vërejtur ndonjë çrregullim të shëndeti mendor-kronik tek i akuzuari”, ka thënë eksperti Zogaj në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren.Ai ka thënë se sikur të kishin dilema apo mendime rreth një diagnoze ndaj të akuzuarit do ta kishin përshkruar edhe në ekspertizën me shkrim të 23 qershorit 2023.Megjithëkëtë, Zogaj ka thënë se në ekspertizë është konstatuar se i akuzuari në momentin e kryerjes së veprës penale ka qenë në gjendje të kuptojë rëndësinë e veprës dhe ka qenë në gjendje të kontrollojë veprimet.Zogaj ka thënë se gjatë përpilimit të ekspertizës nuk e kanë poseduar dokumentacionin e Qendrës së Shëndetit Mendor në Prizren ngase nuk kanë qasje në to, por se kanë poseduar dosjen gjatë trajtimit në paraburgim.Vërejtje në deklarimet e ekspertit Zogaj ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Selmanaj, avokati Esat Gutaj, me arsyetimin se eksperti nuk ka përdorur dokumentacionin nga Qendra e Shëndetit Mendor në Prizren gjatë përpilimit të eskpertizës.Sipas tij, ekipi psikiatrik nuk ka sqaruar arsyen pse mjeku Imet Poniku e ka trajtuar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren me medikamente të çrregullimit mendor. Gutaj ka propozuar që të angazhohet një grup i ri i ekspertëve, mirëpo këtë propozim e ka refuzuar kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, me arsyetimin se nuk ekzistojnë dy ekspertiza me mendime të kundërta, ngase Imet Poniku është dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit e jo në cilësinë e ekspertit.Pas kësaj, seanca e sotme është ndërprerë, kurse ajo e radhës është caktuar të mbahet më 16 janar 2023.Haxhi Selmanaj akuzohet se më 26 janar 2020 në lagjen Tusuz në Prizren kishte goditur për vdekje me thikë afër zemrës të ndjerin E.K. Fillimisht, sipas aktakuzës, Selmanaj kishte pasur konflikt fizik me vëllain e viktimës, Z.K. Kështu, ai ngarkohet për “vrasje” dhe për posedim pa leje të thikës, e cila ishte sekuestruar nga Policia në vendin e ngjarjes, raporton betimiperdrejtesi.