VV dikur: Deklarata e Pavarësisë një hap para e tri mbrapa, nuk e solli pavarësinë, i mundësoi Serbisë zgjerim në Kosovë
Lëvizja Vetëvendosje e lideri i saj, Albin Kurti, sot uruan qytetarët për nder të Ditës së Pavarësisë. Kurti shkroi në Twitter se është krenar me trashëgiminë e Kosovës dhe se po feston 13 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Por LVV e Kurti nuk mendonin të njëjtën gjë kur festohej përvjetori i parë i 17 shkurtit më 2009, shkruan Reporteri.net.Në fletushkën e botuar më 16 shkurt 2009, të titulluar ‘’Pse Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë nuk na solli pavarësinë’’, VV thoshte se deklarata që shpallte Kosovën shtet të pavarur e sovran ishte ‘një hap para e tre mbrapa.Në shkrimin e publikuar 12 vite më parë, VV nuk përmendte askund fjalën republikë kur i referohej Kosovës si entitet politik, shkruan Reporteri.net.
Madje atëbotë VV thoshte se kjo deklaratë e pavarësisë ia mundësoi Serbisë zgjerimin e kontrollit mbi Kosovën.‘’Deklarata e Pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2009 ishte një hap përpara, për shkak të njohjes ndërkombëtare. Por, në të njëjtën kohë, kjo deklaratë paraqet tre hapa mbrapa, sepse është e lidhur me zbatimin e Planit të Ahtisaar-it, mbikëqyrjen ekzekutive prej dy misioneve ndërkombëtare mbi bazën e Rezolutës 1244, dhe sepse ia mundësoi Serbisë zgjerimin e kontrollit brenda Kosovës’’, shkruante VV në Fletushkën nr.134, përcjellë Reporteri.net. Tutje në Fletushkë, VV thoshte se Plani i Ahtisaarit, të cilën Deklarata e Pavarësisë e obligon Kosovën ta zbatojë, e ndan vendin mbi baza etnike e fetare dhe se i mohon të ketë ushtri të saj.