Ylfete Fanaj gruaja e parë shqiptare që bëhet ministre kantonale në Zvicër
Ylfete Fanaj është zgjedhur sot si ministre kantonale, duke u bërë kështu e para shqiptare që i besohet një detyrë ekzekutive në Zvicër.Për marrjen e detyrës së re, Fanaj është përgëzuar edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton Telegrafi.Osmani ka thënë se Ylfete Fanaj është frymëzim për gratë e vajzat tona dhe dëshmi se me punë dhe përkushtim gjithçka është e arritshme.“Në vitin 2021, pata kënaqësinë ta takoj znj. Ylfete Fanajn, në cilësinë e kryetares së Parlamentit të Luzernit në Zvicër dhe ta përgëzoj për sukseset e saj prej vitesh në shtetin helvetik. Ajo dëshmoi zell dhe vendosmëri për përmirësimin dhe avancimin e politikave për të gjitha komunitetet pa përjashtim. Sot, kam kënaqësinë ta uroj me zemër që u bë ministrja e parë kantonale me prejardhje nga Kosova, njëherësh gruaja e parë kosovare, së cilës i besohet një detyrë ekzekutive”, thuhet në deklaratën e presidentes.Tutje, Osmani ka shkruar se “Ylfetja është frymëzim për gratë e vajzat tona dhe dëshmi se me punë dhe përkushtim gjithçka është e arritshme”.“Ajo është ndër përfaqësueset më të denja të mërgatës sonë, e cila është pjesë vitale e shtetit të Kosovës. E nderuar Ylfete, të prifshin sukseset dhe qofsh urë e fortë lidhëse e Republikës së Kosovës me Zvicrën”, thotë ndër tjera Osmani.Ndryshe, Fanaj fitoi përfaqësimin e kantonit të Lucernit dhe kjo shënon edhe postin më të lartë ekzekutiv që një shqiptare mban në Zvicër.Madje falë Fanaj, PS (Partia Socialdemokrate) arriti të rikthehej në qeverinë e Lucernit. Për tetë vite, PS nuk ishte më e përfaqësuar në ekzekutiv të këtij kantoni.Fanaj fitoi garën me 45,053 vota ndaj Hauser me 39,674 vota. Po kështu, Fanaj, bashkë me kandidaten Michaela Tschuor nga Partia e Qendrës (Die Mitte), janë gratë e para në qeveri, pas një kohë të gjatë. /Telegrafi/