Ymeri: Nëse droga është vjedhur nën qeverisjet e kaluara, provat e rastit Dehari janë zhdukur nën Qeverinë Kurti II

Analisti Visar Ymeri ka komentuar videon e Lëvizjes Vetëvendosje, përmes së cilës ka akuzuar qeveritë e kaluara për keqqeverisje, ndërsa sindikatat i ka quajtur partiake.

Ymeri e ka quajtur videon “skandaloze”, ngaqë sipas tij, Qeveria Kurti II e ka ndjerë nevojën për të treguar se sa të këqija kanë qenë qeveritë e kaluara.Më tej, ai ka thënë se këtë LVV-ja është duke e bërë pasi nuk është duke mundur që të tregojë se sa e mirë është qeverisja Kurti II.

“Këtu u tha që nuk ka më vjedhje të drogës në stacionin policor, është e vërtetë që ajo ka ndodhur një herë në vitin 2010 apo edhe më herët. Por, nën qeverisjen e Kurtit e kemi zhdukjen e provave të rastit të Astrit Deharit. Dje e dëgjova ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, që tha se kjo zhdukje është bërë qëllim për të më goditur mua, por a mund të themi që edhe droga është vjedhur për t’i goditur pushtetarët e atëhershëm”.

 “Vlerësimi që është duke ia bërë Qeverisë së vetë Lëvizja Vetëvendosje, është vlerësim negativ”, ka thënë Ymeri në “Debat Plus”.Ndër të tjera, ai ka treguar se LVV-ja është duke përdorur një propagandë, e cila është krahasimi me qeveritë e kaluara.“Kur je në qeverisje duhet të ndryshojë propaganda, duhet të tregosh se çfarë ke bërë vetë edhe si i ke luftuar këto fenomenet që je duke i kritikuar në video, se shumë prej atyre fenomeneve, pavarësisht se sa të vërteta janë, nuk janë duke e luftuar me Vetëvendosjen në pushtet”.“Përdoren çështje që kanë ndodhur ose raste, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me Qeverinë Kurti II, siç ka qenë shkëputja e kontratës me Z Mobile, që ka ndodhur në vitin 2019”, ka shtuar Ymeri.Ai ka përfunduar duke thënë se privatizimi është duke vazhduar edhe gjatë mandatit të Qeverisë Kurti II./RTVDukagjini/