Ymeri: Thaçin, Mustafën e Ramën i shpallëm tradhtarë për Asociacionin, Kurti në fund vetë e pranoi
Ish-deputeti, Visar Ymeri, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti e ka pranuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kurse për një gjë të tillë i kishte shpallur tradhtarë Hashim Thaçin, Isa Mustafën e Edi Ramën.
“Hashim Thaçin e kemi shpallur tradhtar për shkak të Zajednicës së 2013-tës, Isa Mustafës për shkak të 2015-tës, edhe Edi Ramën, dhe tash Albin Kurti i pranon të gjitha këto”, tha ai në Debat Plus.
Ai tha se dita e nesërme do të jetë ditë e rëndësishme për dialogun Kosovë – Serbi.
Arsyeja e parë, sipas tij, janë zhvillimet e fundit dhe dallimet e qëndrimeve të pjesëtarëve të pozitës.
“Nesër do të jetë ditë e rëndësishme për të ardhmen e dialogut. Për shkak të zhvillimeve që i kemi pasur deri tash. E dyta që e bën këtë ditë të rëndësishëm janë deklarimet e krerëve institucionalë, kryeministrit, ministrat, presidentes, që na bën ne sot absolutisht të pamundur se çfarë do të bëjnë nesër”, tha ai.
“Nëse i merr i lexon deklaratat rreth dialogut prej 24 shtatorit, kryeministri, ministri i MPB-së, presidentja, kryetari i Kuvendit, ministrja e MPJ-së, deputetët njëri pas tjetrit. Ti thua çfarë do të bëjmë me këtë dialog, a ka vdekur dialogu a është gjallë, a vazhdon apo jo, a e kemi pranuar marrëveshjen apo jo, a ka dallim plani i sekuencimit tash që ka ardhur me të kaluarin…Krejt kjo përpjekje që e ka bërë Qeveria e Kosovës a ia ka hequr ndonjë presje këtyre dokumenteve, shumica prej tyre më të vjetra se përpjekja e Qeverisë. Këtë e ka për detyrë Kurti me na tregu”, ka vijuar ai.
Ymeri tha se duhet të shihet nëse ia kanë vlejtur të gjitha sanksionet kundër Kosovës, që të sjellët një dokument për Asociacionin i cili mund të jetë i njëjtë me të kaluarin.
“A ia ka vlejtur që të kemi sanksione, a ia ka vlejtur që Kosova të kritikohet nga të gjithë, a ia ka vlejtur që kryeministrin të mos e takojë askush sepse është në sanksione, për me ardhur të dokumenti që Edi Rama e pati dorëzuar, që e kemi shpallur tradhtar të interesit kombëtar”, tha ai.