Zbrazet Restelica e Dragashit
Një ortek bore, para 12 vjetësh, pati qenë fatal edhe për 10 anëtarë të një familjeje në Restelicë të Dragashit. Banorët e këtij fshati, akoma gjatë dimrit vazhdojnë të përballen me vështirësi të shumta.
Fshati Restelicë i komunës së Dragashit shtrihet në pjesën më jugore të Kosovës, ka më shumë se dy mijë shtëpi banimi me 11 mijë banorë, rreth 70 % e të cilëve kanë mërguar.
Fshati shtrihet pllajave të Parkut Nacional të Maleve të Sharrit dhe punohet vetëm me damper, një mjet i veçantë që i përshtatet terrenit tepër të thyer malor. Jeta është e vështirë, sidomos në stinën e dimrit që zgjatë gjashtë muaj. Ky fshat ka resurse të mëdha për zhvillimin e turizmit.
“Periudha e dimrit në Restelicë është katastrofale, jetohet vështirë, të rinjtë po largohen me të madhe, sidomos pas liberalizimit të vizave, kanë ngelë vetëm pleqt, shumica jo të aftë për punë. Në Restelicë kemi një ambullantë, ku punojnë një mjek dhe dy teknik, kemi shkollë, me 120 deri 150 nxënës, doktori punon pesë ditë të javës , por momentalisht është në pushim”, tha Hajrudin Hoxha teknik medicinal.
Shkolla e Restelicës ka kushte të mjaftueshme për vijimin e mësimit. “Kushtet për punë në këtë shkollë janë shumë të mira, shkolla është e pajisura si të tjerat në gjithë Kosovën, kemi më shumë se 100 nxënës, është e pajisur me nxemje qëndrore dhe funksionon mirë. deri tash furnizimin me libra e kemi pas nga komuna, tash i kemi nga ministria dhe furnizimi është i mirë”, tha për RTK, Salim Karalija, mësimdhënës.
Nuri Hoxha, banor, thotë se ka punuar si blegtor, por tani ka ngelur vetëm me gruan.
“Jetohet si në mal, gjithçka është bosh, nuk ka njerëz, shumica prej tyre janë jashtë, e familja ime djemtë e vajzat janë në Itali”, tha Nuri Hoxha, banor i Restelicës
Braktisja e fshatrave të komunës së Dragashit është rritur shumë pas liberalizimit të vizave thotë edhe kryetari i kësaj komune Behxhet Xheladini
Restelica në shkurt të vitit 2012 u godit nga një tragjedi natyrore, ku humbën jetën 10 persona të një familjeje.
Që nga ajo kohë dimrat në këtë fshat janë më të butë, por gjithsesi duhen përgatitje të mëdha për të hyrë në stinën e dimrit. Trashësia e borës për këtë vit nuk i ka kaluar 60 cm, për dallim prej shumë viteve më parë kur arrinte mbi një metër./RTK /